zoom

In Zoom

Çunat e Londrës dhe ndihma që po u jep Rama të rekrutojnë sa më shumë të rinj në rrjetet kriminale

Gazeta më e lexuar britanike online, Daily Mail, raportoi shifra shokuese të hyrjeve të shqiptarëve si emigrantë të paligjshëm në Angli, përmes kanalit të La Manshit. 700 ishin shqiptarët mes 1295 emigrantëve të kapur në varka të vogla që nisen nga Franca drejt Britanisë së Madhe, ose 60 % e tyre.

Ajo çfarë është më tronditëse në raportimin e gazetës britanike është fakti se, sipas të dhënave zyrtare, një pjesë e shqiptarëve po dërgohen atje nga grupet kriminale për t’u bërë pjesë e rrjeteve të tyre.

“Zyrtarët kanë thënë për “DailyMail” se krerët e krimit shqiptarë po dërgojnë në Britaninë e Madhe “persona të pastër” pa precedentë kriminalë me varka të vogla për t’u bashkuar me bandat e organizuara”, shkruan gazeta.

Në Angli, shqiptarët apo “çunat e Londrës”, siç quhen ndryshe, zotërojnë pjesën më të madhe të kultivimit të kanabisit në të ashtuquajturat “shtëpitë e barit” dhe trafikun e drogave të forta, si kokaina.

Janë të paktë emigrantët që punojnë ndershmërisht, për shkak të mungesës së lejeve të qëndrimit. Dhe siç tregojnë edhe të dhënat e Daily Mail, një pjesë e madhe punojnë për grupet kriminale.

Në Shqipëri, “çunat e Londrës” janë shndërruar në personifikimin e trafikantëve që po sjellin shuma të mëdha parash “cash” në rrugë të ndryshme. Një pjesë e tyre e ekspozon në Tiranë dhe plazhet më “In” jetën luksoze, me makina disa që kushtojnë mbi 100 mijë euro.

Fenomeni “çunat e Londrës” është shndërruar po ashtu në një debat politik përsa i përket legalizimit të parave nëpërmjet “amnistisë fiskale dhe penale” të hedhur në diskutim nga qeveria e Edi Ramës.

Kryeministri Rama thotë se ai nuk do të legalizojë paratë e drogës, por të emigrantëve që kanë punuar në të zezë. Siç tregojnë të dhënat, janë të paktë emigrantët që mund të kenë kursyer me qindra mijëra apo miliona euro nga puna e krahut në të zezë.

Shqetësimet janë se nga amnistia do të përfitojnë “çunat e Londrës” e të tjerë si ata që operojnë në vende të ndryshme të Europës e më tej.

Legalizimi i parasë së trafikantëve shihet me shqetësim edhe për shkak se ajo mund të çojë në një kriminalizim më të madh të shoqërisë, veçanërisht tek të rinjtë. Janë të rinjtë ata që më së shumti po përpiqen të kalojnë nga Franca në Angli me varka e anije dhe siç shkruan “DailyMail”, puna që i pret është ajo që u ofrojnë rrjetet kriminale që organizojnë edhe kalimin e tyre.

“Sa më shumë para të legalizojnë grupet kriminale, aq më shumë rritet fuqia e tyre për të rekrutuar të rinj në gjirin e tyre”, thonë ekspertët.

Kjo është vetëm një pjesë e pasojave, që sipas ekspertëve, sjell amnistia, për të cilën kryeministri Rama këmbëngul përkundër qëndrimit refuzues të BE, SHBA dhe organizmave të tjerë që luftojnë pastrimin e parave. /Zoom.al

Postime të lidhura