zoom

Lajme

Çuçi mbledh socialistët para Parlamentit, të enjten priten debate të forta. Temë edhe Onkologjiku

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka zhvilluar sot mbledhjen për këtë javë. Kryetari Bledi Çuçi informoi deputetët për seancat që kanë mbetur deri në përfundim të këtij sesioni, teksa ka munguar kryeministri Edi Rama.

E radhës do të zhvillohet ditën e enjte, 4 korrik, ku mes çështjeve të tjera të rendit të ditës pritet të ketë edhe një interpelancë me Ministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, kërkuar nga një grup deputetësh të opozitës. Priten debate të forta, ku temë diskutimi do jetë edhe skandali te Onkologjiku i mjekëve të akuzuar, me ilaçet e pacientëve me sëmundje terminale.

Gjithashtu pritet të prezantohen edhe raporti vjetor i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, raporti mbi veprimtarinë e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe raporti vjetor për veprimtarinë e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Në vijim pati diskutime të tjera për çështje të ndryshme të ngritura nga deputetët e pranishëm në mbledhje. /ZOOM.AL/