zoom

Aktualitet

Çmenden burrat, 2 të tjerë marrin peng familjet në Vaun e Dejës e Tiranë. I kërcënonin me sëpatë

Tre ngjarje të rënda në familje janë parandaluar brenda 10 orëve të fundit në Tiranë (dy raste) dhe në Vaun e Dejës.

Pas 35-vjeçarit që kishte burgosur familjen, zbulohet një tjetër episod dramatik, me një 66-vjeçar që kërcënonte të vriste gratë e fisit dhe familjen e tij me sëpatë, ashtu sikurse edhe në Shkodër policia ndaloi një 50-vjeçar që kërcënonte me sëpatë gruan dhe 4 fëmijët.

“Dhunoi bashkëshorten dhe 4 fëmijët e tyre të mitur, si dhe i kanosi ata për jetën, me mjete prerëse, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 50-vjeçari.

Sekuestrohen 2 mjete prerëse (sëpatë dhe thikë). Ndërhyrja u bë pas marrjes së njoftimit, mbrëmjen e djeshme, se një shtetas dhunonte dhe kanoste, bashkëshorten dhe 4 fëmijët e mitur në fshatin Toplane, të Vaut të Dejës”, njoftoi policia vendore, që po kryen hetime në vendngjarje.

Si rezultat është kapur në flagrancë dhe është vënë në pranga autori i rastit, shtetasi Petrit Lufi, 50 vjeç.

Gjithashtu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 2 mjete prerëse (sëpatë dhe thikë), me të cilat i arrestuari kanoste për jetën, bashkëshorten dhe fëmijët.

Edhe në Tiranë u zbulua një rast i ngjashëm pak orë më parë, teksa dhuna dhe kërcënimi kishte nisur prej mbrëmjes së djeshme.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas marrjes së njoftimit për një shtetas që kishte mbyllur në banesë, familjarët e tij (bashkëshorten me nipërit dhe mbesat), në rrugën “Pavarësia”, menjëherë kanë organizuar punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale, dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit të dyshuar përpara përgjegjësisë penale.

Si rezultat i veprimeve të shpejta, u arrestua në flagrancë shtetasi R. S., 66 vjeç, banues në Tiranë”, tha policia e kryeqytetit.

Shtetasi R. S., mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:30, në rrugën “Pavarësia”, ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes, e ka mbyllur atë në banesë, së bashku me nipërit dhe mbesat, dhe i ka kanosur ata me mjet prerës sëpatë, që të mos lajmëronin Policinë.

Mjeti prerës (sëpatë) u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Për të dy rastet, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe Shkodër, për veprime të mëtejshme. /ZOOM.AL/