Aplikacion
Teherani kishte paralajmëruar prej ditësh se do të përgjigjej ashpër ndaj izraelitëve, pasi këta të fundit bombarduan konsullatën iraniane në Siri, duke vrarë 7 persona që ndodheshin brenda.
Sakaq, të dy vendet ashtu si edhe Jordania kanë njoftuar se do të mbyllin hapësirat e tyre ajrore këtë mbrëmje duke bërë që avionët në hyrje, nisje dhe tranzit të ndalohen të kalojnë apo të zbarkojnë.
Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli është gati për një sulm të drejtpërdrejtë nga Irani dhe do të përgjigjet në të njëjtën mënyrë.
“Qytetarët e Izraelit, në vitet e fundit, dhe aq më tepër në javët e fundit, Izraeli është përgatitur për mundësinë e një sulmi të drejtpërdrejtë nga Irani”.
“Sistemet tona të mbrojtjes janë të vendosura dhe ne jemi të përgatitur për çdo skenar, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Shteti i Izraelit është i fortë, IDF është i fortë, populli është i fortë”.
“Ne e vlerësojmë SHBA-në për qëndrimin në krah të Izraelit, si dhe mbështetjen e Britanisë së Madhe, Francës dhe shumë vendeve të tjera.”
“Kam vendosur një parim të qartë – kushdo që na lëndon, ne do t’i lëndojmë ata. Ne do të mbrohemi nga çdo kërcënim dhe do ta bëjmë këtë me qetësi dhe vendosmëri”.
Ndërkohë, SHBA ka premtuar “mbështetje të palëkundur” për Izraelin pasi Irani më herët konfiskoi anijen e lidhur me Izraelin. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan, e shkroi këtë në një postim në X pasi pati një bisedë telefonike me homologët e tij izraelitë.
Ushtria izraelite shpalli “gadishmëri e plotë” për shkak të hakmarrjejes iraniane. Zëdhënësi i IDF-së saktësoi se “dhjetëra avionë janë gati të ngrihen” në funksion të kundërpërgjigjes së sulmit nga ana e Teheranit./ Zoom.al