zoom

Aktualitet

Çfarë ndodhi vërtet? Vdekja e dyshimtë e 31-vjeçarit në Komisariatin e Kavajës

Një 31-vjeçar humbi jetën në qelitë e komisariatit të policisë së Kavajës sot pasdite rreth orës 19:08. Policia tha se ai u gjet i vetëvarur.

Por ky variant ka ngritur dyshime.

Drejtori i Policisë së Qarkut të Tiranës, Lorenc Panganika dhe një grup ekspertësh të SHÇBA-së janë nisur drejt Drejtorisë së Policisë së Kavajës, për të hetuar ngjarjen.

“Drejtuesit e policisë nuk e kanë besuar variantin e vetëvrasjes”, thanë disa burime për Zoom.al.

Policët e shërbimit po merren në pyetje, ndërsa është urdhëruar autopsia e të riut për të parë nëse ka shenja dhune.

I ndjeri u arrestua nga policia gjatë mesditës së sotme, saktësisht në orën 14:00, pasi gjykata kishte vendosur masën e sigurisë me burg për vjedhje.

Thuhet se i riu ka qenë vetëm në ambientet e paraburgimit, teksa i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur me anë të lidhëseve.

Policia dha këtë njoftim zyrtar:

Kavajë/Informacion paraprak

Më datë 04.05.2022, në Komisariatin e Policisë Kavajë, është gjetur nga shërbimet e Policisë i vetëvarur në dhomat e izolimit dhe si pasojë ka ndërruar jetë, shtetasi i ndaluar I. M., 31 vjeç, i cili është ndaluar ditën e sotme rreth orës 15:50 pasi Gjykata kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vjedhje.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë i cili ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

 

 

Related Posts