Aplikacion
Sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në kryeqytetin ukrainas të Kievit këtë mëngjes, ndërsa Presidenti Vladimir Putin urdhëroi një sulm në disa qytete, me raketa dhe trupa të dërguara në vend.
Videot e kapura nga dëshmitarët okularë tregojnë radhë të gjata makinash në pika të furnizimit me karburant në të gjithë vendin mes zhurmave të shpërthimeve.
Shtetet e Bashkuara njoftuan të mërkurën se SHBA do të vendosë sanksione ndaj kompanisë përgjegjëse për ndërtimin e gazsjellësit rus Nord Stream 2.
Si projekti energjetik më përçarës i Europës, Nord Stream 2 ende nuk ka filluar funksionimin, në pritje të certifikimit nga Gjermania dhe Bashkimi Evropian. Këtë javë, Gjermania bllokoi gazsjellësin me vlerë 11 miliardë dollarë (9.8 miliardë euro), duke përmendur veprimet e Rusisë ndaj Ukrainës.
Europa mbështetet tek Rusia për rreth 40 për qind të gazit të saj natyror. Pjesa më e madhe vjen përmes tubacioneve, duke përfshirë Yamal-Europe, që kalon Bjellorusinë dhe Poloninë në Gjermani, dhe Nord Stream 1, që shkon drejtpërdrejt në Gjermani dhe nëpërmjet Ukrainës.
Tregjet europiane të gazit janë të lidhura nga një rrjet tubacionesh. Shumica e vendeve kanë ndërprerë varësinë nga gazi rus gjatë viteve dhe ka gjithashtu më shumë rrugë furnizimi që anashkalojnë Ukrainën.
Deri vitin e kaluar Ukraina ishte një korridor transit, kryesisht për gazin që shkonte në Sllovaki, nga ku vazhdoi në Austri dhe Itali.
Tani që Rusia ka pushtuar Ukrainën, kjo mund të ndikojë në rrjedhat përmes tubacioneve si Yamal-Europe, Nord Stream 1 dhe TurkStream.
Por edhe pse janë vendosur sanksione ndaj Nord Stream 2, Komisioni Evropian tha se furnizimi aktual i gazit evropian nuk do të ndikohet pasi ky gazsjellës nuk po funksionon ende.
Mundësi të tjera janë që Rusia të pezullojë shitjet e gazit në Evropë në shenjë hakmarrjeje për sanksionet, ose që konflikti ushtarak të shkaktojë dëme në një prej tubacioneve që kalon Ukrainën dhe sjell gaz në Evropë, thonë analistët në Institutin e Oksfordit për Studime të Energjisë.
Disa vende kanë mundësi të tjera. Për shembull Gjermania, konsumatori më i madh i gazit rus, mund të importojë edhe nga Norvegjia, Holanda, Britania dhe Danimarka nëpërmjet tubacioneve.
Por Norvegjia, furnizuesi i dytë më i madh i Evropës, po jep gaz natyror me kapacitet maksimal dhe nuk mund të zëvendësojë asnjë furnizim të munguar nga Rusia, ka thënë kryeministri i saj.
Evropa Jugore mund të marrë gazin azerbajxhanas nëpërmjet Gazsjellësit Trans Adriatik në Itali dhe Gazsjellësit Trans-Anatolian të Gazit Natyror (TANAP) përmes Turqisë.
Analistët e ‘Barclays’ thonë se zëvendësimi i plotë i 150-190 miliardë metra kub në vit gaz rus për BE-në nuk është i arritshëm në afat të shkurtër.
Në 15 vitet e fundit janë parë disa mosmarrëveshje midis Rusisë dhe Ukrainës mbi gazin, kryesisht lidhur me çmimet e paguara.
Në vitin 2006, Gazprom ndërpreu furnizimet në Ukrainë për një ditë. Në dimrin e 2008-2009, ndërprerjet e furnizimit me gazin rus u përhapën në të gjithë Evropën.
Në vitin 2014, Rusia ndërpreu furnizimet për Kievin pas aneksimit të Krimesë. Ukraina ndaloi blerjen e gazit rus në nëntor 2015.
Por Ukraina e ka reduktuar varësinë nga importet direkte të gazit nga Rusia nëpërmjet një mekanizmi të rrjedhës së kundërt, duke e lejuar atë të importojë nga vendet e BE-së.