zoom

Bota

Çfarë lanë pas zjarret në Los Angeles?

Banorët e lagjes Pacific Palisades u kthyen në shtëpitë e tyre të djegura mes ankthit për të ardhmen.

Ata kritikuan punën e autoriteteve mbi mënyrën e reagimit në përballjen me situatën si dhe mungesën e ujit.

“Të gjithë miqtë e mi kanë humbur shtëpitë, por të paktën janë gjallë, pasi disa ju e dini kanë humbur jetën. I gjithë qyteti ynë është i pikëlluar”, thotë Mia Ruhman, banore në Los Anxhelos.

“Asnjëherë nuk kam parë diçka të tillë. Të gjithë këta njerëz këtu kanë humbur shtëpitë. Nuk është e lehtë të përballohet kjo situatë”, thotë Taylor Gelbrich, banor në Los Anxhelos.

Familja Hassett pa shtëpinë e tyre që ndodhej në lagjen Pacific Palisades të digjej, nëpërmejt televizorit.

Ata kanë 22 vjet që jetonë në këtë zonë. Jackie Hasset dhe vajza e saj Kate, thonë se kurrë nuk e kishin menduar se do të ndodhte një fatkeqësi e tillë, e këtyre përmasave.

“Kjo është diçka që nuk e prisnim kurrë për shkak të vendit ku jemi, kjo ishte pjesa e sigurtë e kësaj zone. Nuk ka patur përmbytjeje, nuk ishte zonë në rrezik zjarri, ndaj nuk e prisnim fare këtë që ndodhi”, thotë Jackie Hassett, banore në Los Anxhelos.

Makas Dasigenis, banor në lagjen Altadena luftoi fort me flakët për të shpëtuar shtëpinë e tij. Fillimisht 69-vjeçari dhe bashkëshortja e tij u evakuuan por më pas ai vendosi të kthehej për të mbrojtur shtëpinë e tij.

“Fillimisht u largova, por po kur pashë lajmet dhe kuptova se zjarret ishin jashtë kontrollit, vendosa të kthehem. Kur mbërrita nuk gjeta askëd, ishte një pamje e frikshme për t’u parë. Shtëpitë dhe bizneset përrreth tek digjeshin”, tregon ai.

Ekspertët thonë se ishin disa faktorë që bënë që situata të dalë jashtë kontrollit.

“Kjo është një situatë katastrofike dhe për këtë ndikuan disa faktorë. Ne patëm dimër jashtëzakonisht të lagësht në vitin 2023 që krijoi kushte të favorshme që bimësia në zonë të rritej shpejt. Nga maji i vitit të kaluar nuk kemi patur reshje kështu që kjo bimësi u tha dhe nuk u pastrua. Po ashtu era ishte shumë e fortë dhe ndihmoi në përhapjen e flakëve”, thotë Edith De Guzman nga Universiteti i Kalifornisë.

Zjarret, ndër fatkeqësitë natyrore më të rënda që kanë goditur ndonjëherë Kaliforninë, kanë djegur më shumë se 12000 ndërtesa. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të gjetur shkakun e tyre. Voa/

Postime të lidhura