Aplikacion
PD, në kërkesën e saj, ngre dyshime se kompania private e biznesmenit arab Mohamed Alabbar është favorizuar në forma të ndryshme. Per kete arsye, opozita kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, një e drejtë kjo që i buron nga Kushtetuta. Por PS nuk e ka pranuar dhe e ka rrëzuar në Konferencën e Kryetarëve.
Kundërshtia e socialistëve
Mendimin për PS-në e dha kreu i Grupit të PS-së, Niko Peleshi, i cili u shpreh se Parlamenti nuk mund të ngrejë komision hetimor për të kontrolluar vetveten, pasi sipas tij, i takon Gjykatë Kushtetuese.
“Parlamenti nuk mund të ngrejë një komision hetimor për të kontrolluar vetveten, pasi këtë kompetencë, sipas Kushtetutës, e ka Gjykata Kushtetuese. Është e njohur që Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë ligjshmërinë e këtyre procedurave në janar”, u shpreh Peleshi.
Kreu i Grupit të PS theksoi se ky është një veprim politik në prag të zgjedhjeve, për të krijuar një situatë të pavërtetë dhe të paqëndrueshme.
Ai gjithashtu shtoi se procedurat e këtij projekti kanë kaluar të gjitha hapat e kontrollit parlamentar gjatë miratimit në Kuvend.
“Së fundmi, periudha zgjedhore kufizon funksionimin e komisioneve hetimore, pasi Parlamenti “ngrin” gjatë kësaj kohe, duke e bërë të pamundur ngritjen dhe funksionimin e komisionit në kushtet e propozuara”, deklaroi Peleshi.
Qëndrimi i demokratëve
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi tha se refuzimi i mazhorancës dëshmi e qartë se projekti nuk i shërben interesave të qytetarëve duke ngritur dhe akuza se aty ka para “të pista”.
“Kërkesa për komison hetimor është çështje konkrete. Një aferë korruptive qindra milion euro. Faljen e tokës publike bashkë me portin tek një firmë private dhe ndërtimi i një porti të ri. Objekti i hetimit është konkret dhe puna e Kuvendit është pikerisht kjo. Eshtë çështje e interesit publik dhe ne e kemi detyrë të bejme transparencë. Aty mund të jenë para të pista që po investohen dhe Kuvendi ka të drejtë të hetojë, siç ka të drejtë të kontrollojë prishjen e të gjitha marrdhënieve kontraktuale të mëparshme. Kuvendi ka të drejtë të hetojë edhe se ca po ndodh me portin e ri. Na u tha qe do jetë me faturë zero nga buxheti i shtetit sot na thuhet do kushtojë 1 miliard.. nuk ka asnje vendim te gjykates kushtetuese, ku thuhet se nëqoftëse çështja eshte ne Strasburg nuk mund te kete hetim parlamemtar. E kunderta eshte thene. Gjithashtu i dashur koleg t’i lexon gjera që si kupton se kështu t’i kanë dhënë. Nuk ka asnje opinion te Venecias per kete çështje sic ti pretendon. Ne cdo vendim thuhet se Kuvendi ka rol kontrollues dhe duhet te beje kujdes që të mos këtë mbivendosje kompetencash. Po fakti se ka heshtje në Drejtësi nuk do të thotë asgjë”, u shpreh Bardhi në Konferencën e Kryetarëve.
Demokratja Ina zhupa tha se rasti është provë se qeveria nuk e ka problem ta shkelë Kushtetutën.
“Kuvendi e ka për detyrë të ngrejë komisione Hetimore. E thotë Kushtetuta. Por unë e kuptoj se ju nuk e keni problem të shkelni Kushtetutën. E keni bërë në vazhdimësi këtë gjë. Për ju Kushtetuta nuk thotë asgjë. Ju nuk keni kompetencë për ta rrëzuar e vetmja cështje që mund të diskutojmë është objekti i hetimi. Na thoni ju si e doni objektin? Por hetimi është detyrim kushtetues”, tha Zhupa
Projekti i Alabbar në Durrës
Ideja e qeverisë për t’i dhënë portin e Durrësit biznesmenit arab është përballur me kritika të forta publike e deri në pengesa ligjore. Në këtë projekt Shqipëria vetëm humbet. Nisur nga kontrata, qeveria merr nga publiku dhe i fal familjes Alabbar 80 hektar tokë shtetëore për ta kthyer atë në një resort luksi me pallate dhe jahte. Për të lehtësuar investitorin arab, qeveria vendosi që t’u falë arabëve të paktën 150 mln euro, duke i përjashtuar nga taksa e infrastrukturës dhe strehimit social.
Kryeministri Edi Rama dhe ish-kreu i Portit të Durrësit Pirro Vengu, deklaruan janarin e shkuar se kalimi i portit të Durrësit në atë të Porto Romanos, rreth 400 mln euro do të bëhet me financim të jashtëm dhe paratë e portit, kurrësesi të taksave. Në fund të 2023-shi edhe kjo rezultoi një gënjeshtër. Në fillim zv.kryeministrja Belinda Balluku e më pas vetë kryeministri, deklaruan në qetësi se zhvendosja do të bëhet me paratë e shqiptarëve. 400 mln euro i përket vetëm fazës së parë të zhvendosje, ndërkohë që ndërtimi i një porti të ri në Porto Romano parashikohet të kapë vlerën e 2 mld eurove. Pra qeveria Rama po i heq shqiptarëve portin dhe tokën që i përket, për të pasuruar më tej Alabbar dhe do të ndërtojë një port të ri më tutje, që do ta paguajnë po vetë shqiptarët./Zoom.al