Aplikacion
Kuvendi do të nisë në orën 10.00 dhe pritet të zgjasë rreth 4 orë.
Për tu bërë pjesë e tij janë ftuar jo vetëm delegatët, por edhe anëtarë të PD, përfshi edhe figura politike që ndër vite janë larguar nga zoti Basha.
Procesi për të cilin organizatorët janë kujdesur më shumë është ai i verifikimit të delegatëve dhe secili prej tyre është i pajisur me mandatin e delegatit që ka një bar code dhe kartën e identitetit për të shuar çdo dyshim se shumica e delegateve do të jenë të shtunën në stadium.
Zoom.al mesoi se delegatët do jenë të ulur në pjesën e poshtme të tribunës së stadiumit, ndërsa pjesmarrësit e tjerë, mbështetësit dhe të ftuarit në pjesën e sipërme.
Në qendër të fushës është vendosur një tribunë dhe një ekran gjigant ku do të transmetohen fjalimet e pjesmarrësve por edhe procesi organizativ dhe vendimarrës i Kuvendit.
Burime nga grupi organizator bën të ditur se fjalime do mbajnë disa nga figurat kryesore të demokratëve në vite dhe Kuvendi do të kulmojë me fjalimin e ish-kryeministrit Berisha.
Vendimi i parë që Kuvendi merr është miratimi i statutit të ri i cili synon të rikthejë normalitetin në Partinë Demokratike në mënyrë që më pas të nisë projektimi i një lidershipi që çon PD-në drejt fitores.
Ky statut përfshin të gjitha premtimet që Berisha ka artikuluar në këto 3 muaj: legalizon fraksionet, vendos primaret për deputetet dhe kryetarët e bashkive, forcon votën e anëtarëve, i jep më shumë kompetenca forumeve e jo zyrtarëve të PD, dhe padyshim pjesë e tij është dhe neni Basha, ku sanksionohet largimi automatik i kryetarit nëse partia humbet zgjedhjet.
Nuk dihet ende se cili është plani i organizatorëve pasi Kuvendi të miratojë ndryshimet statutore dhe të shkarkojë Lulzim Bashën.
Burime nga grupi organizator nuk kanë përjashtuar mundësinë që të gjithë pjesmarrësit në të t’i drejtohen Partisë Demokratike. Zoom.al