Aplikacion
Në fjalën e tij gjatë kësaj mbledhje kryebashkiaku Erion Veliaj, ndërsa theksoi se qeveria dhe bashkia e tij nuk do mund të bllokohet nga politika, bëri të ditur gjithashtu se të gjitha familjet që do të preken nga ky projekt dhe që nuk kanë arritur t’i legalizojnë shtëpitë e tyre do të marrin bonus qiraje për 3 vjet dhe më pas do të përfitojnë banesë falas në një nga tre pallatet e reja që do të ndërtohen nga Bashkia e Tiranës për këtë qëllim.
Pra, kur e degjon për herë të parë duket se më së fundi kemi një Bashki që mendon për njerëzit, pavarësisht nëse ata kanë ndërtuar në mënyrë të ligjshme ose jo.
Në fakt vendimarrja e Bashkisë së Tiranës është tërësisht në funksion të betejës politike të Erion Veliajt, i cili me shumë gjasë pranverën e ardhshme do të tentojë një mandat të tretë në krye të bashkisë më të madhe në vend.
Kjo pasi Bashkia dhe vet Veliaj nuk janë të sinqertë kur flasin për një gjë të tillë, pasi sot po mbajnë një standard krejt tjetër nga ai që mbajtën 3 vite me parë gjatë zbatimit të projektit për rehabilitimin e Unazës së Madhe në segmentin nga Pallati me shigjeta tek ish-rrethrrotullimi “Shqiponja”.
Ndonëse rastet janë të ngjashme si dy pika uji, standardi i mbajtur nga Veliaj para tre vitesh dhe ai i mbajtur sot nuk është i njëjtë.
Në atë kohë Bashkia e mbështetur edhe nga qeveria këmbënguli fortë duke mos i njohur asnjë lloj prone të gjitha familjeve që kishin ndërtuar me mund e sakrifica në zonën e Unazës së Madhe, pavarësisht se në mënyrë të qëllimtë ishin përjashtuar nga procesi i legalizimit.
I angazhuar fortë në atë kohë edhe mediatikisht, kryebashkiaku deklaronte se të gjithë ato familje që prekeshin nga ai projekt do të përfitonin bonus qiraje dhe ndonjë familje në kushte të vështira ekonomike mund edhe të strehoej në geton e banesave sociale në afërsi të Shkozës.
Por asgjë më shumë se kaq.
Madje Bashkia dhe Ministria e Transporteve edhe për ata që i kishin shtëpitë dhe bizneset e tyre të legalizuara ofroi vetëm shpronësim, shpesh herë me vlera më të ulëta se ato të tregut.
Ndërsa sot Bashkia dhe Qeveria marrin përsipër që të gjithë ata që preken nga projekti i zgjerimit të Lanës të kenë një trajtim ndryshe, duke përfituar çdo metër ndërtim që do t’i prishet.
Natyrisht që kryebashkiaku Veliaj është i njëjti, e vetmja gjë që ka ndryshuar është se tashmë jemi para zgjedhjeve të ardhshme vendore dhe ai ka interes që për të siguruar çdo votë të mos krijojë pakënaqësi te qytetarët dhe çdo vendimarrje të Bashkisë ta kanalizojë në funksion të këtij qëllimi.