zoom

Politikë

Caktohet ora/ Nesër seancë në SPAK për Malltezin dhe Bektashin, asnjë njoftim për Berishën

Seanca gjyqësore për verifikimin e masës së sigurisë ndaj dhëndrit të Sali Berishës, Jamarbër Malltezit dhe ndërtuesit Fatmir Bektashi do të mbahet nesër.

Ditën e hënë, në orën 13:30, dy të akuzuarit për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” do të dalin para trupës gjykuese, e cila do të shprehet nëse masat “Arrest në burg” për Malltezin dhe “Detyrim paraqitje” për Bektashin janë në përputhje me ligjin dhe nëse do të lihen në fuqi ose jo.

Por ndërkohë, në seancën e nesërme do të mungojë ish-kryeministri Sali Berisha, për të cilin po ashtu është caktuar masa e sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe i është bllokuar pasaporta për të njëjtën aferë, por SPAK nuk ka asnjë njoftim për të se kur do kryhet verifikimi i masës.

Kujtojmë se Berisha një natë më parë refuzoi takimin me agjentët e policisë, të cilët shkuan në selinë blu për t’i komunikuar masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe për t’i marrë pasaportën.

Pyetje: Nuk patët asnjë takim personalisht?

Sali Berisha: Jo nuk pata asnjë takim personalisht sepse unë do të respektoj kushtetutën, e cila prevalon. Ky ishte turpi i Edi Ramës.

Pyetje: Nuk pranuat vendimin që ata kishin ardhur të sjellin?

Sali Berisha: Unë ata nuk i takova fare sepse unë nuk mund të pranoj shkelmim të kushtetutës se do Edi Rama, nuk mund të pranoj. Po t’i takoja, do i thoja çojani Edi Ramës ta ziejë çaj.