zoom

Ekonomi

Buxheti faktik, qeveria pagoi 108 milionë euro për koncesionet në 2022

Koncesionet apo partneritetet publike private i kanë marrë buxhetit të shtetit në vitin 2022 plot 12.64 miliardë lekë apo rreth 108 milionë euro. Buxheti faktik i vitit 2022, i dorëzuar tashmë në Kuvend nga Ministria e Financave, ka të ecurinë e shkurtuar të këtyre kontratave, por nuk shoqërohet me raportin vjetor të detajuar të performancës së këtyre kontratave(ose të paktën deri në momentin e publikimit të këtij lajmi raporti nuk ishte bërë ende publik).

Sipas Financave në nivel total rezulton se: Për vitin 2022 janë 11 kontrata koncesionare/PPP me mbështetje buxhetore. Për të gjitha kontratat koncesionare/PPP me mbështetje buxhetore janë realizuar pagesa faktike. Fondet buxhetore të planifikuara për vitin 2022, sipas planit vjetor të ndryshuar, me destinacion mbështetjen nga buxheti për kontratat konçesionare/PPP, rezultojnë rreth 12.71 miliardë lekë. Pagesat faktike për vitin 2022, në total rezultuan në rreth 12.64 miliardë lekë ose 99.5% e planit vjetor 2022, të ndryshuar.

E njëjta përmbledhje nënvizon se është respektuar rregulli fiskal që mbështetja buxhetore e dedikuar për këto kontrata të jetë nën kufirin 5 për qind të të ardhurave tatimore faktike.

“Kufiri i lejuar i pagesave neto për kontratat koncesionare/PPP, prej 5% i të ardhurave tatimore faktike të vitit 2021, përllogaritet në rreth 23.78 miliardë lekë. ü Referuar tabelës së mëposhtme, pagesat vjetore neto të realizuara (faktike) nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, për kontratat koncesionare/PPP me mbështetje buxhetore, rezultuan në rreth 12.64 miliardë lekë. o Rrjedhimisht, në buxhetin 2022 është respektuar kufizimin ligjor i sipërcituar në zbatim të rregullit fiskal respektiv, pasi vlera e realizuar prej rreth 12.64 miliardë lekë, për pagesat vjetore neto të kontratave koncesionare apo PPP, për vitin 2022, përbën vetëm 2.66 përqind të totalit të të ardhurave tatimore faktike të vitit 2021, prej rreth 475.61 miliardë lekë” thuhet në relacionin e buxhetit faktik.

Kontratat PPP dhe fondet

Por cilat janë në fakt kontratat që kanë marrë mbështetje buxhetore gjatë vitit 2022?

Referuar tabelës s publikuar në raportin e buxhetit faktik kontrata e parë është ajo e inceneratorit të Fierit, “Ndërtimi, operimi dhe transferimi i inceneratorit për përpunimin e mbetjeve urbane të Bashkisë Fier” me një shumë 376 milionë lekë të arkëtuara në 2022.

Kontrata “Përmirësimi, Ndërtimi, Operimi dhe Mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit” ka marrë 2.9 miliardë lekë.

Kontrata “Për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e autostradës Milot – Morinë” ka përfituar 740 milionë lekë.

Kontrata “Përmirësim, Ndërtim, Operim, Mirëmbajte e Rrugës Porti i Jahteve – By Pass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës)” ka përfituar 224 milionë lekë.

Kontrata “Financimi, ngritja dhe operimi i shërbimit të skanimit të konteinerve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë” ka përfituar 1.9 miliardë lekë.

Kontrata “Për paketën e shërbimeve të kontrollit mjekësor bazë (Check-up)” ka përfituar 876 milionë lekë.

Kontrata “Konçesioni/PPP (Ofrimi i setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, trajtimi i mbetjeve biologjike dhe dezinfektimi i sallave kirurgjikale)” ka përfituar 1.69 milirdë lekë.

Kontrata “Konçesioni/PPP (Ofrimi i shërbimit të dializës)” 802 milonë lekë.

Kontrata “Ofrimi i shërbimeve laboratorike spitalore” 1.6 miliardë lekë.

Kontrata “Për Përmirësimin e Infrastrukturës Arsimore në Bashkinë e Tiranës “Për Projektimin, Financimin, Ndërtimin, Mobilimin, Mirëmbajtjen, Mbikqyrjen dhe Kolaudimin e pesë objekteve arsimore në Zonën Tirana 1” ka përfituar 395 milionë lekë.

Kontrata “Ndërtimi i Landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimit të venddepozitimeve ekzistuese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike” 1 miliardë lekë./ Monitor