zoom

Aktualitet

Burokracia i mban larg fermerët shqiptarë nga fondet e BE-së

Fondet e ndihmës për bujqësinë – si programi IPARD i Bashkimit Evropian, mbeten të paarritshme për fermerët dhe blegtorët në Dibër, për shkak të burokracisë dhe mungesës së informacionit.

Pasi punoi për vite me radhë si emigrant në Greqi, Bari Kika, 63 vjeç, u kthye në vendlindje dhe vendosi të investonte në një fermë të vogël e të mbarështonte dhi. Pas katër vitesh tufa e dhive numëron 270 krerë, por Kika, si shumë fermerë të tjerë të zonave, ka vështirësi ta sigurojë bazën ushqimore për dhentë pasi moti këtu është i ashpër. Ai përfiton një subvencion nga qeveria të barabartë me 1,200 lekë për çdo kokë bagëti, por ankohet se kjo shumë është shumë e vogël për të mbuluar shpenzimet.

“Kam nevojë për të ndërtuar një stallë, por as që bëhet fjalë,” tha Kika, ndërsa shtoi se qumështin e dhive ua le kecave pasi shitet me çmim shumë të ulët. “Punoj vetëm me djalin tim, të cilin e kam ndaluar të shkojë në emigrim,” shpjegoi ai.

Fondet e mbështetjes për bujqësinë në Shqipëri ndahen nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR), por fermerët ankohen se nuk e kanë të lehtë t’i qasin këto para, për shkak se përballen me burokraci gjatët hartimit dhe plotësimit e dokumentacionit të kërkuar.

Në qarkun e Dibrës punojnë mbi 30 mijë fermerë dhe blegtorë, por Agjencia Rajonale Ekstensionit Bujqësisë Dibër (AREBD), shprehet se vetëm 6 për qind e tyre kanë përfituar mbështetje financiare nga fondet për bujqësinë gjatë vitit 2023.

Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, INSTAT në qarkun Dibër në vitin 2023 u mbollën rreth 47 mijë hektarë me kultura të ndryshme bujqësore, përfshirë foragjere, drithëra, grurë, misër, perime, elb, thekër, fasule, bimë medicinale dhe patate.

Shumica janë fermerë të vegjël, për shkak se veprojnë në zona rurale me toka të parecelizuara dhe e kanë të vështirë për të plotësuar kushtet, kriteret dhe normativat për të përfituar subvencione nga qeveria ose fondet e BE-së.

Shumica dërmuese e fermerëve në Dibër nuk subvencionohen pasi nuk i përmbushin kërkesat e duhura për të përfituar financimin, të cilat shpesh herë i perceptojnë si barriera të qëllimshme.

“Fondet tona, dyshoj se përvetësohen nga persona abuziv, që nuk lidhen me asnjë fushë me bujqësisë”, tha një fermer, njëherësh specialist në fushën e bujqësisë, i cili kërkoi të mbetej anonim.

Ai tha se në zonën ku punon ai asnjë nga fermerët nuk arriti të marrë fonde nga programe të mëdha financimi si IPARD.

“Këto fonde nuk vijnë tek ne, por tek persona të “zgjedhur””, theksoi specialisti.

Ai kujtoi se shpenzoi 150 mijë lekë për të plotësuar dokumentet për një aplikim që do e ndihmonte të mbulonte vreshtin me rrjetë për ta mbrojtur nga breshëri, por nuk e fitoi dhe as nuk mësoi se pse kërkesa e tij u refuzua.

Xhaferr Leti, fermer dhe bletërritës nga Dibra, tha se e vetmja ndihmë që merr nga shteti është një pagesë prej 1 mijë lekësh për koshere bletësh, por që sipas tij është shumë pak krahasuar me vende të rajonit si Kosova, ku për çdo koshere financohesh me 30 euro.

“Madje në Kosovë, financohesh edhe me makineri për nxjerrjen e mjaltit, kosha modernë bletësh”, shpjegoi Leti.

Ai u ankua se bletërritësit shqiptarë janë të pambrojtur nga dëmet që mund t’i shkaktohen për shkak të motit apo sëmundjet.

“Unë kam 250 koshere dhe dua ti dyfishoj ato, por mungojnë financimet nga qeveria,” tha Leti. “Për ta zhvilluar këtë biznes nuk më mungon përvoja, pasi familja ime është marrë me rritjen e mbarështimin e bletëve që nga viti 1938”, shtoi ai.

Leti shpresoi ta siguronte mbështetje nga fondet e Bashkimit Evropian, përmes Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit IPARD edhe pse ishte i vetëdijshëm që procesin ishte i komplikuar.

“Duhet të themi të vërtetën, se për të përfituar këto fonde është tejet e vështirë, në mos e pamundur”, tha ai.

Por përpara se Leti të aplikonte, fondet e programit IPARD III u bllokuan, pasi Zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, njoftoi se ka identifikuar keqpërdorimin e 33 milionë eurove nga autoritetet shqiptare.

Skandali u zbulua pasi disa nga qytetarët shqiptarë që aplikuan për fonde denoncuan zyrën shqiptare për praktika korruptive. Sipas sqarimit nga OLAF, hetimi i tyre zbuloi se aplikuesve u kërkohej të paguanin një përqindje të lartë të grantit te kompani konsulence “të parapërzgjedhura” të cilat lehtësonin realizimin e kontratave me AZHBR.

Disa fermerët në Dibër ankohen që jo vetën nuk kanë qasje në fonde, por as në informacion mbi ekzistencën e tyre.

“Nuk jam në dijeni, që dikush të na ketë prezantuar me këtë program”, tha Sali Bici, i cili ka investuar në frutikulturë.

Megjithatë, Blerim Dibra, drejtor i AREB Dibër, i tha BIRN se puna për orientimin e duhur të fermerëve dhe seancat e informit për të aplikuar në fondet e AZHBR-së nuk ka munguar.

“Në çdo bashki, janë organizuar në mënyrë të vazhdueshme dhe koherente sidomos nga zyrat e AZHBR, si dhe nga Agropikat, të cilat shpërndajnë informacionin e duhur, për mënyrën e aplikimit”, theksoi ai./ Reporter.al