Aplikacion
Ky projektligj synonte të ashpërsonte rregullat e migracionit dhe t’i jepte policisë federale më shumë kompetenca për dëbime. Por drama e vërtetë nuk ishte tek përmbajtja e tij, por tek mënyra se si CDU/CSU e paraqiti në parlament.Ishte e qartë që kjo nismë mund të kalonte vetëm me ndihmën e votave të AfD-së, diçka që deri më tani kishte qenë tabu në Bundestag. Për dekada, partitë kryesore kishin ruajtur një distancë të fortë nga e djathta ekstreme, por ky votim e sfidoi këtë rregull të pashkruar.
“Një njollë që do t’ju ndjekë gjithmonë”
Në sallën e Bundestagut, temperatura politike ishte në maksimum. Debati filloi katër orë me vonesë, pati shumë ndërprerje të gjata dhe fjalimet ndërpriteshin për shkak të akuzave të ndërsjella. Kreu i grupit parlamentar të SPD-së, Rolf Mützenich, e quajti këtë një moment historik, por jo në sensin pozitiv. “Nëse Unioni mbështetet në votat e AfD-së, kjo do të jetë një njollë që do t’i ndjekë gjithmonë”, paralajmëroi ai.
Konservatorët e kryesuar nga Friedrich Merz, i cili është jo vetëm kryetar i grupit parlamentar CDU/CSU dhe i partisë CDU, por edhe kandidati kryesor per kanclear, i hodhën poshte akuzat. “Askush në partinë time nuk i shtrin dorën AfD-së,” tha ai me ton të vendosur. “Kjo parti minon themelet e demokracisë sonë dhe ka synimin të shkatërrojë CDU-në.”
AfD: “CDU/CSU ka kopjuar programin tonë”
Annalena Baerbock, ministrja e jashtme (Të Gjelbrit), kujtoi se parashtrimi i mocionit për ndryshimin e ligjit te migracionit u bë pikërisht më 29 janar, kur Bundestagu përkujtoi edhe viktimat e Holokaustit. “Dita e mërkurë filloi me një përkujtim të viktimave të nazizmit dhe përfundoi me të djathtët ekstremë që qeshnin dhe festonin në parlamentin tonë. Kjo është një thyerje e rëndë e tabuve,” tha ajo. Mesazhi ishte i qartë: CDU/CSU kishte shkelur vijën e kuqe dhe tani duhej të përballej me pasojat.
Deputetët e AfD-së, që me në krye Alice Weidel, si kandidate për kancelare, kanë kohë që po përpiqen ta tërheqin CDU/CSU nga vetja, nuk e fshehën kënaqësinë as të premten: “Një ndryshim i vërtetë në politikën e migracionit mund të vijë vetëm me AfD-në. CDU/CSU e ka kopjuar programin tonë, prandaj po e mbështesim”, tha bashkëkryetari i grupit parlamentar, Bernd Baumann.
Opioni publik pro kufizimit të migracionit, kundër bashkëpunimit me AfD
Megjithëse projektligji u refuzua, çështja që la kjo javë të hapur është se deri ku është e gatshme të shkojë CDU/CSU për të siguruar pushtetin. Sidoqoftë, ky episod i jashtëzakonshëm në Gjermaninë e pasluftës, për momentin duket se nuk ka ndryshuar preferencën e gjermanëve për votim:
Ndërsa 23 shkurti i zgjedhjeve parlamentare sa vjen e afrohet, sondazhet më të fundit vijojnë të kenë në krye: CDU/CSU me 30%, pasuar nga AfD me 20%. SPD dhe të Gjelbrit me 15%, dhe Aleanca Sahra Wagenknecht që arrin në 5%. FDP dhe E majta (Die Linke) rrezikojnë të mbeten jashtë parlamentit, pasi qëndrojnë nën pragun prej 5%.
Një sondazh i shpejtë i televizionit publik gjerman, ARD-së, tregoi se shumica e gjermanëve janë pro shtrëngimit të politikave të migracionit, por po aq gjermanë janë edhe kundër çdo lloj bashkëpunimi me AfD-në.