zoom

Bota

Bullgaria zyrtarizon veton për negociatat

Qëndrimi ndaj Maqedonisë së Veriut për negociatat me BE-në nuk do të ndryshojë. Këtë ritheksoi kandidati bullgar për kryeministër Kiril Petkov ndërsa i dorëzoi të dielën në Sofje peridentit, Rumen Radev listën me emrat e ministrave të kabinetit të ri qeveritar.

“Pozicioni bullgar mbetet ashtu siç është, por ne duam ta përmirësojmë. Nuk duam të vazhdojmë vetëm me deklarata nga të dy anët e kufirit, por duam të ulemi bashkë, ekipe nga sfera të ndryshme, të punojnë për fqinjësi të mirë. Por, në të njëjtën kohë ne do të mbrojmë interesat kombëtare bullgare”, tha Petkov.

Partia e tij “Vazhdojmë me ndryshimet”, që fitoi zgjedhjet e treta parlamentare më 14 nëntor, arriti të formojë një koalicion me socialistët, populistët dhe partinë e qendrës së djathtë, “Bullgaria “Demokratike”.

Bullgaria, si shteti anëtar i BE-së, që nga nëntori i vitit 2020 ka bllokuar nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian, duke e kushtëzuar votën e saj me arritjen e marrëveshjes për çështjet e gjuhës dhe ato historike.

Sofja kërkon marrëveshje për identitetin, gjuhën dhe dallimet historike mes dy vendeve dhe këmbëngul që Shkupi të pranojë se gjuha maqedonase dhe identiteti maqedonas, para vitit 1945, kanë pasur prejardhje bullgare.

Zyrtarët maqedonas presin që në samitin e radhës të BE-së, që do të mbahet këtë muaj, Sofja të heqë veton dhe të mundësojë mbajtjen e konferencës ndërqeveritare, BE-Maqedoni e Veriut. Zëvendëskryeministri Artan Grubi njoftoi të premten për një nismë nga Franca për arritjen e një marrëveshje me Bullgarinë, por pa dhënë detaje. Por, Sofja ka mohuar të ketë nismë të tillë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se është në interesin e të dyja vendeve që të qëndrojnë së bashku, sepse krijojnë një energji të fortë duke i dhënë dinamikë rajonit.