Aplikacion
Guvernatori Josh Green njoftoi se zjarret e kanë shkrumbuar qytezën Lahaina, duke lënë mijëra persona pa strehë mbi kokë. Si pasojë e kësaj katastrofe, që po konsiderohet më e keqja në historinë e vendit, besohet se janë rrafshuar rreth 1.000 ndërtesa.
Green tha gjithashtu në një konferencë për media se do të duhen vite për të rikuperuar dëmet, teksa zyrtarët kanë nisur të planifikojnë si t’i strehojnë personat që u janë djegur shtëpitë.
Ndërkohë, dëshmi tronditëse vijnë nga qytetarët, ku një prej tyre rrëfen se policia i kishte kërkuar të “hidhej në oqean” për të mbijetuar nga flakët.
“Dëgjuam britma si në një film horror. Nuk dinim se çfarë po ndodhte. Dëgjuam njerëz që villnin por nuk i pamë, tymi ishte kudo. Gjithçka ishte e zezë. Unë thirra policinë tre herë. Kur më në fund u përgjigjën, ata thanë se nuk mund të vinin dhe duhej të hidhesha në oqean. Kalova rreth tre orë në ujë para se të më shpëtonin”, u shpreh një qytetar tjetër.
Turistët ndërkohë u dyndën në aeroportin e Mauit që të largohen sa më parë nga ishulli.
“U bllokuam në dhomë për tre ditë. NUk kishim drita. Më në fund, erdhën e na morën prej andej, ishim 1800 vetë. Ishte e frikshme, nuk përdornim dot telefonët, nuk telefononim dot familjarët”, ishte rrëfimi i një tjetri.
Presidenti i SHBA, Joe Biden, miratoi të enjten përdorimin e ndihmave federale për të ndihmuar përpjekjet lokale të rimëkëmbjes për zonat e prekura nga zjarret. Ai u zotua për ndihma të menjëhershme ndaj kujtdo që ka humbur një të afërm, banesën apo dëme të tjera materiale. Lahaina është destinacion i famshëm dhe vizitohet nga 2 milionë turistë në vit.
Havai po përballet me zjarret vdekjeprurëse që prej të martës, të nxitura nga erërat e fuqishme dhe thatësia e madhe. Autoritetet kanë nisur të ndajnë ndihma për të prekurit nga zjarret.