zoom

Ide & Blog

Breznia e Angonatëve

Nga Lutfi Dervishi

Nesti Angoni ishte pasardhësi i fundit i një familjeje që kurrë nuk arriti të bëhej aristokraci e mirëfilltë, por që këmbëngulte dhe sillej sikur kishte një kod nderi të pashkruar.

Breznia e tij, Angonatët, ishte soji që kishte tentuar gjithçka: tregtinë, politikën, letrat, madje dhe spiunazhin. Por në secilën fushë ata kishin arritur të ishin vetëm gjysmë të suksesshëm, siç ishte edhe vetë Nesti: një burrë që dukej gjithmonë sikur ishte në prag të madhështisë, por pa iu afruar atij pragu.

Historia e Nestit nuk ishte e ndryshme nga ajo e paraardhësve të tij. Ai kishte trashëguar një shtëpi të vjetër në një lagje të re të Tiranës, një kioskë me libra të vjetër që askush nuk i blinte dhe një emër që nuk i siguroi asgjë, përveçse një vend në tavolinat e kafeneve ku të tjerët i kërkonin mendim për çështje që nga dora e dytë e nitratit në Lushnjë deri te perfundimi i Luftës në Ukrainë.

Por, ndryshe nga Angonatët e mëparshëm, të cilët vdisnin duke ëndërruar një madhështi që nuk erdhi kurrë, Nesti la gjurmë.
Një mbrëmje maji, duke shëtitur i zhgënjyer rrugëve të Tiranës, ai ndaloi për një dhallë në një byrektore të vogël në rrugën “5 Maji”, një nga ato barake ku njerëzit i japin më shumë rëndësi muhabetit sesa shijes se byrekut. Ishte një nga ato hapësira ku çdokush, nga punëtori i ndershëm te patronazhisti i heshtur, ulet për të shkarkuar mllefet/streset/hallet e ditës.

Diku mes zhurmës të atyre pak tavolinave plastike dhe erës të vajit të djegur, ai dëgjoi një bisedë që do ia ndryshonte rrjedhën e jetës së tij mëse të zakonshme. Dikush përmendi një skandal të lidhur drejtpërdrejt me kryebashkiakun. Të gjitha ishin të njohura, të pëshpëritura në rrugë, të dyshuara nga të gjithë, por të pavërtetuara nga askush.
Dhe aty, mes mbllaçitjeve të fundit të byrekut, Nesti e ndjeu se historia i kishte dhuruar një moment, një mundësi që asnjë Angonat para tij nuk e kishte patur: të bëhej dikushi.

Ai mori një fletë të bardhë, nxorri stilolapsin nga xhepi dhe nisi të shkruante me dorën që i dridhej. Nuk ishte një poezi si ato të rinisë së hershme të tij. Nuk ishte një shkrim për ndonjë portal që nuk do ta lexonte askush. Ishte një letër. Një letër denoncuese. Një anonime. Një fletërrufe moderne.

Anonimati ishte dhe mbetet arma e e e fortë e shqiptarëve: fleterrufe në kohën e diktaturës, letra anonime gjatë tranzicionit, statuse pa emër në epokën e rrjeteve sociale, shfryrje në komentet online. Dhe ai, një Angon i denjë, do ta përdorte këtë traditë në mënyrën më tradicionale.

Letra u shkrua në mënyrë të ftohtë, me data, shifra dhe fakte. Ajo u fut në një zarf të bardhë dhe u la mbi tavolinën e byrektores “Nona” në rrugën 5 Maji, aty ku një dorë tjetër e panjohur do ta çonte drejt SPAK-ut.
Disa muaj më vonë, kur televizonet dhe portalet shpërthyen me lajmin se SPAK kishte nisur një hetim të thelluar ndaj kryebashkiakut, Nesti e kuptoi se breznia e tij, për herë të parë, kishte bërë diçka. Ai nuk do të hynte në histori si poet, as si politikan, as si biznesmen, as si sharlatan. Ai do të mbetej një zë më peshë në epokën e zërave anonimë, një hije që shërbeu për të lëkundur themelet e një pushteti që mendonte se ishte i paprekshëm.

Kur më vonë oficerët e BKH-se u përpoqen të gjenin burimin e letrës dhe gjurmuan adresën (rruga 5 Maji nr 71) nga ku ishte dërguar ndalua para byrektore “Nona”. Edhe Google map konfirmoi koordinatat. Të gjithë qeshën. Një nga prokuroret e SPAK-ut, duke parë raportin, tha: “ky qenka vetë Nona”

Dhe kështu, pa u shfaqur asnjëherë në kamera, pa qenë i pranishëm në regjistrin e gjendjes civile, pa marrë asnjë dekoratë dhe pa dalë në asnjë banak televiziv, Nesti Angoni arriti atë që askush nga paraardhësit dhe bashkëkohësit e tij nuk e kishte bërë: të ndihmonte në rrëzimin e një të pushtetshmi.

Historia e tij, si të gjitha historitë e Angonatëve, dhe të atyre nga Sokaku i të Marreve, nuk do të regjistrohet në ndonjë libër historie, por do të mbetet një nga ato pëshpëritjet me të cilat qyteti zgjohet: “E di kush e bëri denoncimin? Jo, por thonë që një farë Nesti Angoni.”

Dhe kështu, ai u bë i pavdekshëm në mënyrën më shqiptare të mundshme: si një thashethem që askush nuk e konfirmon, por të gjithë e besojnë.

Postime të lidhura