zoom

Politikë

Botoi dhe fshiu lajmin për Kryemadhin, Eureporter reagon për Zoom.al

Bëri jo pak bujë lajmi publikuar nga Eureporter.co, një portal me qendër në Irlandë, mbi disa pagesa që Monika Kryemadhi kishte marrë nga disa kompani ruse në kohën kur drejtonte LSI-në.

Shkrimi me titull “Rusia po përdor të gjitha mjetet për të shtuar kontrollin në Ballkan” fliste mbi financimet ruse në Ballkan për të rritur ndikimin. Në këtë kontekst, Eureporter publikoi edhe tre fatura të Kryemadhit, por duke sqaruar se nuk dihej se përse ishin bërë këto pagesa.

Po aq zhurmë sa botimi bëri edhe heqja e këtij shkrimi vetëm pak orë më vonë.

Zoom.al u interesua pranë portalit për arsyet e fshirjes së shkrimit, të cilin, ata e shoqëronin me tre fatura bankare, dy që flisnin për pagesa të marra nga Monika Kryemadhi në 2017-ën, me vlerë 13,500 dhe 5.350 euro dhe një prej 9,687 dollarësh të bërë nga Kryemadhi në drejtim të një kompanie, po me aksionerë rusë, sipas Eureporter.

Eureporter, portali me qendër në Dublin, i tha Zoom.al se shkrimi ishte hequr për shkak të një ankese që redaksia kishte marrë. Eureporter.co sqaroi se po vazhdon investigimin për të verifikuar pretendimet dhe se shkrimi mund të ribotohej nëse do të zbulohej se ankesa nuk ishte e drejtë.

“Ishte një njoftim automatik nga një burim normalisht me reputacion. Është bërë një ankesë për përmbajtjen. Në bazë të politikës sonë normale, ne e hoqëm plotësisht artikullin nga faqja dhe mediat sociale, ndërsa po hetojmë. Ne rezervojmë të drejtën për ta ribotuar nëse do të gjejmë të dhëna kundër ankesës”.

Monika Kryemadhi e injoroi botimin, ndërkohë që edhe mediat që e publikuan atë në Shqipëri, përfshirë mediat pro-qeveritare, e fshinë fill pasi Eureporter.co e hoqi nga faqja.

Tani mbetet për t’u sqaruar nëse këto pagesa janë kryer dhe nëse po, për çfarë marrëdhënie financiare bëhet fjalë. Eureporter shkruan se bëhej fjalë për marketing dhe divident të ortakëve.

Por nëse shkrimi ka pasur të dhëna të rreme, atëherë duhet zbuluar se cili ishte burimi i këtyre të dhënave, si dhe qëllimi i vetë burimit. /Denisa Skodi -Zoom.al