zoom

Aktualitet

Botanistët, letër Lali Erit: Ti ke zbuluar mrekullinë e pemëve transparente

I dashur kryetar i Bashkisë së Tiranës, Z. Erion Veliaj, ose siç të thërret populli me përkëdheli, Lali Eri!*

Ne, botanistët e këtij vendi të bekuar nga Zoti, kemi vendosur të të drejtojmë këtë letër publike (që po e postojmë fillimisht te Zoom.al), jo për të të kritikuar (se mos na keqkuptosh ore), por për të t’u lutur me gjithë shpirt: mos mbill më pemë!

Ne e dimë që ke një pasion të zjarrtë për gjelbërimin, aq sa, sa herë nuk ke ç’bën, mendja të shkon direkt te lopata. E dimë që çdo vit bën një fushatë të re me moton “Mbjellim pemë”, fushata këto që krahasohen vetëm me ato të zgjedhjeve për nga intensiteti, propaganda dhe publiciteti. Por ne të lutemi shumë, mos na e bëj këtë më, për disa arsye.

E para, po na mbaron oksigjeni, Lali!

Çdo herë që njofton ndonjë fushatë të re për mbjelljen e qindra mijëra, miliona pemëve, ne na kap një ankth ekzistencial, Lali. Kujt po ia mbjell këto pemë? Dhe mbi të gjitha, ku po i mbjell? Se ne po shohim vetëm beton, betoniere, pllaka betoni, vinça betoni e tek-tuk ndonjë palmë të vyshkur dhe ca ullinj që duken si të kenë ardhur me gomone nga Italia.

Ç’është e vërteta fare, ne po shohim edhe ca pemë që thahen brenda muajit; ca fidanë që i mbillni me lopata para kamerave, (ku më shumë flisni se punoni), e që pastaj zhduken si politikanët pas zgjedhjeve.

Po shohim, bashkë me to, edhe këto kullat 40 -katëshe e më shumë që po ngrihen në çdo pëllëmbë toke të lirë nëpër Tiranë, por që në posterat e projekteve të bashkisë duken si “parqe ekologjike”.

Së dyti, Lali, dhe më e rëndësishmja kjo.

Ti Lali, mbase nuk je në dijeni, por ke bërë një zbulim të jashtëzakonshëm shkencor. Ti ke shpikur mrekullinë e pemëve transparente!

Një fenomen që na ka bërë të mbetemi pa fjalë si shkencëtarë është pikërisht pema transparente. Po, ekziston! Ti Lali raporton qindra mijëra pemë të mbjella, por në realitet ato nuk duken gjëkundi. Kjo është një mrekulli që s’e ka arritur askush më parë në 35 vjet demokraci. Në Europë as në mijëra vjet.

Ky zbulim i yti na ka bërë të thellohemi shumë. Dhe ne në fakt, kemi disa teori për këtë, të cilat po i studiojmë shkencërisht edhe me kolegët tanë nëpër botë:

1. Pemët janë të padukshme që të mos zënë shumë vend dhe të mos na zënë pamjen e bukur të kullave shumëkatëshe.
2. Pemët janë mbjellë në një dimension paralel, ku njerëzit i shohin vetëm në ditët kur Bashkia poston video propagandistike me 3 punëtorë me lopata dhe 7 me kamera.

Ne do të të luteshim që, ta lije me kaq këtë zbulim, derisa ne shkencëtarët të zbulojmë se si ta bëjë çdokush këtë dhe si ta eksportojmë edhe në kryeqytetet e tjera europiane, si Vjena, Parisi, Roma, Londra etj.

Deri atëherë, mos mbill më pemë, por mund të bësh vetëm një gjë: Nis e numëroji sa pemë ke mbjellë, se mos të dalin me minus e lëmë nam me kolegët tanë nëpër botë, ore!

Me shumë dashuri dhe me maska anti-smog që nuk na e mban t’i heqim teksa shëtisim mespërmes pyllit orbital,

Botanistët e dëshpëruar të Tiranës. (Të dëshpëruar që s’po zbulojmë dot si e ke arritur këtë mrekulli, jo për gjë tjetër).

*P.S: Çdo ngjashmëri me ngjarje apo personazhe reale është rastësi. /Zoom.al

Postime të lidhura