zoom

Bota

Bota mirëpret marrëveshjen Izrael-Hamas – Liderët: Duhet armëpushim i përhershëm

Armëpushimi i arritur mes qeverisë izraelite dhe grupit terrorist palestinez Hamas, është mirëpritur nga e gjithë bota. Liderët ndërkombëtarë kanë përshëndetur vendimin përmes reagimeve të ndryshme. Presidenti Joe Biden kërkoi zbatimin e plotë të dakordimit dhe falënderoi Katarin e Egjiptin për përpjekjet e tyre për të siguruar marrëveshjen.

“Jill dhe unë kemi mbajtur pranë zemrës të gjithë ata që po mbahen peng dhe të afërmit e tyre. Jam shumë i kënaqur që disa prej atyre që kanë duruar javë robërie do të bashkohen me familjet e tyre. Vlerësoj angazhimin e qeverisë Netanjahu për ndërprerjen humanitare të luftimeve që do të sigurojë ofrimin e ndihmës shtesë për të lehtësuar vuajtjet e familjeve të pafajshme palestineze në Gaza”, tha Biden.

Edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen përshëndeti marrëveshjen, duke shtuar se kjo mundësi do të shfrytëzohet edhe për të futur sa më shumë ndihma humanitare.

“Komisioni Evropian do të bëjë çmos për të përdorur këtë pauzë për një rritje të sasisë së ndihmave humanitare në Gaza”, u shpreh ajo.

Një reagim erdhi edhe nga ministria e Jashtme franceze.

“Shpresojmë që shtetasit francezë të jenë mes tyre dhe, nëse është e mundur, në grupin e parë që do të lirohet. Ne po punojmë për këtë”, deklaroi ministrja e Francës për Punët e Jashtme, Catherine Colonna.

Egjipti dhe Katari gjithashtu përshëndetën marrëveshjen ndërsa thanë se po shpresojnë për një armëpushim të përhershëm.

Presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan deklaroi se po mendon të shkojë në Egjipt për të ndihmuar në organizimin e më shumë ndihmave për të plagosurit në Gaza.

Ai kërkoi shtimin e përpjekjeve nga vendet arabe për të siguruar një armëpushim të përhershëm, për të ofruar ndihmë të mjaftueshme për Gazën dhe për të rindërtuar qytetin, duke përdorur mjete ekonomike, politike dhe diplomatike.

Me arritjen e armëpushimit edhe Teherani njoftoi se ministri i Jashtëm i Iranit do të nisë një tur rajonal.