zoom

Bota

Bota do furnizohet së shpejti me energjinë diellore të kapur nga hapësira

Shoqëria Kombëtare e Hapësirës (NSS), një nga organizatat private më të rëndësishme për zhvillimin e kërkimit hapësinor për të mirën e njerëzimit me seli në SHBA, ka vendosur të mbështesë planin e përditësuar të Japonisë për shfrytëzimin e energjisë diellore hapësinore. Ky plan përfshin përdorimin eksperimental në orbitën e Tokës të një sistemi, i cili përmes një sateliti të ndërtuar posaçërisht, do të mbledhë energji nga Dielli për ta dërguar atë sërish në Tokë.

Eksperimenti i parë është menduar që të kryhet brenda vitit 2025. Kjo mënyrë mund të sjellë energji të pastër dhe praktikisht të pakufizuar në Tokë, si dhe të ndihmojë në distancimin e shoqërive tona nga ndotja e karburanteve fosile.

Dejl Skran, kreu i NSS thotë:“Energjia diellore hapësinore mund t’u sigurojë njerëzve në Tokë sasi të mëdha energjie të pastër, pa emetime karboni në atmosferë, në 365 ditë të vitit. Ne nuk kemi nevojë për ndonjë kuptim të ri të fizikës. Mjafton që tani të shpenzojmë para për ta bërë këtë teknologji të përballueshme për të gjithë”.

Jashtë atmosferës së Tokës, rrezet e diellit janë deri në 11 herë më intensive se sa ato që mbërrijnë këtu poshtë në Tokë, dhe e gjithë energjia e mbledhur atje mund të transmetohet në Tokë në formën e mikrovalëve, duke u shndërruar në energji elektrike.

Një fantashkencë? Aspak! Ndonëse kjo hipotezë mund të duket si një fantashkencë, nuk është një ide e re. Kjo pasi aktualisht ekzistojnë teknologji që na lejojnë të marrim rezultate të rëndësishme. Për shembull, Britania e Madhe ka zhvilluar prej kohësh projektin për ndërtimin e satelitit të saj hapësinor që synon të transmetojë në Tokë energjinë diellore, dhe që mund të jetë funksional brenda vitit 2040.

Koncepti i përdorimit të energjisë diellore hapësinore u propozua për herë të parë nga pionieri rus i raketave Konstantin Ciolkovski mbi 100 vjet më parë. Por mbeti me shumë një tezë e historive të fantashkencës, derisa u shfaqën projektet e para inxhinierike në vitet 1960-1970.

Me përparimet e fundit dhe ardhjen e teknologjive që po i bëjnë shumë më të lira lëshimet e sondave dhe satelitëve në hapësirë, duket se ka ardhur koha që të promovohen teknologjitë kryesore, të cila do të demonstronin qëndrueshmërinë praktike të këtij projekti.

“Koha është tani. Tradicionalisht, energjia diellore hapësinore është konsideruar si një projekt teknikisht i realizueshëm, por jo konkurrues në aspektin ekonomik me format e tjera të prodhimit të energjisë elektrike.

Megjithatë, përparimet në robotikë duhet ta bëjnë shumë më pak të kushtueshëm ndërtimin dhe funksionimin e sistemeve të mëdha hapësinore sesa përdorimi i astronautëve që duhet tëangazhohen në hapësirë.

Për më tepër, një gjeneratë e re anijesh hapësinore shumë të fuqishme, me kosto të ulët dhe të ripërdorshme, siç është Starship i SpaceX, po bën të mundur çuarjen në hapësirë të ngarkesave të mëdha në hapësirë ​​me një kosto shumë të ulët”- thotë Xhon Mankins, ekspert i njohur për energjinë diellore hapësinore.

Modelet modulare do të përbëhen nga miliona “panele sanduiç”që montohen vetënë madhësinë e një kutie picash, me qelizat” diellore në njërën anë dhe transmetuesit nga ana tjetër. Mankins thotë se kjo do ta bëjë energjinë diellore hapësinore shumë më  lirë se sa aktualisht./Bota.al