zoom

Bota

Bosi i kartelit “Los Lobos” rrëfen se sa u paguan dhe pse u vra kandidati për president i Ekuadorit

Pesë persona të lidhur me një nga bandat më të mëdha kriminale të Ekuadorit, janë burgosur për vrasjen e kandidatit presidencial Fernando Villavicencio vitin e kaluar.

Villavicencio, anëtar i asamblesë kombëtare të vendit dhe ish-gazetar, u qëllua për vdekje teksa po largohej nga një tubim i fushatës në kryeqytetin, Quito, gushtin e kaluar. Carlos Angulo, lideri i supozuar i bandës Los Lobos dhe Laura Castilla u dënuan me 34 vjet e tetë muaj burg, për drejtimin e atentatit.

Tre persona të tjerë, mes tyre edhe një grua, u dënuan me 12 vjet nga gjykata në Quito për ndihmën në organizimin dhe ekzekutimin e planit. Hetuesit pretenduan se Angulo – i njohur gjerësisht si “i padukshmi” – urdhëroi goditjen nga burgu i Kuitos, në të cilin ai ishte i ndaluar.

Ai i mohoi akuzat, duke pretenduar se po bëhej “kurban”. Më shumë se 70 njerëz dhanë dëshmitë e tyre gjatë gjyqit, duke përfshirë një dëshmitar kyç i cili tha se bandës i ishin ofruar më shumë se 200,000 dollarë (154,000 £) për të vrarë zotin Villavicencio.

Në javët para zgjedhjeve, politikani kishte marrë kërcënime me vdekje, por ai vazhdoi të bënte fushatë dhe u qëllua nga një grup sulmuesish më 9 gusht jashtë një shkolle në veri të Kuitos. Prokurorët thanë gjatë gjyqit se një nga personat e përfshirë në atentat u qëllua për vdekje në një konfrontim me policinë në vendngjarje.

E veja e zotit Villavicencio, Veronica Sarauz, e mirëpriti vendimin, por tha se shënoi vetëm fillimin e një rruge të gjatë për të përcaktuar të gjithë historinë pas vdekjes së burrit të saj. /ZOOM.AL/