zoom

Ekonomi

Bonot e privatizimit, “Odiseja” 30-vjeçare e 800 milionë eurove

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në qershor shtyrjen e radhës të afatit të përdorimit të bonove të privatizimit. Sipas ndryshimeve më të fundit ligjore, afati i ri i përdorimit të tyre është deri në datën 31 dhjetor 2027.

Historia e bonove të privatizimit nisi në vitin 1995, me miratimin e ligjit për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit. Sipas ligjit fillestar, qëllimi i emetimit të bonove ishte pjesëmarrja e qytetarëve shqiptarë në proceset e privatizimit të pasurisë shtetërore.

Më tej, historia e bonove është karakterizuar nga procese të ndërlikuara, me shtyrje të afateve dhe ndryshime në qëllimet e përdorimit, të ndërthurura me problematikat e mëdha të së drejtës së pronësisë që ka pasur Shqipëria në 30 vitet e fundit.

Afati i përdorimit të bonove të privatizimit, sipas ligjit fillestar, ishte fundi i vitit 1999. Por, afati është shtyrë disa herë nëpërmjet amendimeve ligjore, më i fundit i të cilëve u miratua këtë vit. Edhe mënyrat dhe qëllimet e përdorimit të tyre kanë ndryshuar në vite.

Përveç disa rasteve specifike në proceset e privatizimit të pronës shtetërore, bonot mund të përdoren edhe në procesin e legalizimit të pasurive të paluajtshme, deri në 50% të vlerës së truallit të legalizuar.

 

Historia e palavdishme e bonove

Historia e bonove të privatizimit nisi në vitin 1995, kur Kuvendi miratoi ligjin e parë për emetimin dhe shpërndarjen e tyre. Qëllimi ishte që nëpërmjet bonove (lekëve) të privatizimit, qytetarët të mund të paguanin për privatizimin e pronave shtetërore.

Sipas ligjit fillestar, të vitit 1995, bono privatizimi do të përfitonin të gjithë shtetasit që në 1 janar 1995 kishin mbushur moshën 18 vjeç. Megjithatë, ligji përjashtonte ata shtetas që kishin përfituar tokë sipas ligjit 7501, si dhe ata persona që kishin përfituar falas pasuri nga procesi i privatizimit të pronës shtetërore (duke përjashtuar banesat).

Bonot e privatizimit do të ishin të vlefshme deri në datën 31.12.1999. Shpërndarja e tyre u krye sipas një formule në përputhje me vlerën e pasurisë së ndërmarrjeve shtetërore që do të privatizoheshin. Vlera e bonove të përfituara rritej në përpjesëtim me moshën e përfituesit.

Konkretisht, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave të marsit 1995, shtetasit e moshës 18-35 vjeç duhet të përfitonin 50 mijë lekë bono privatizimi, shtetasit e moshës 36-55 vjeç, 75 mijë lekë, dhe shtetasit e moshës mbi 56 vjeç do të përfitonin 100 mijë lekë bono privatizimi.

Ligji parashikonte se bonot e privatizimit mund të përdoreshin nga zotëruesit e tyre për të hyrë si aksionerë në shoqëritë tregtare që do të krijoheshin nga privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore; për të blerë elemente të veçanta të pasurisë së ndërmarrjeve shtetërore që do të privatizoheshin apo për të hyrë si aksionerë në shoqëritë investuese të letrave me vlerë. Ligji lejonte që bonot e privatizimit të tregtoheshin lirisht midis shtetasve.

 

32 miliardë lekë bono ende në qarkullim

Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, sasia totale e bonove të privatizimit të prodhuara gjithsej ishte rreth 3.62 milionë copë, për një vlerë totale prej 83.3 miliardë lekësh. Nga këto, janë dorëzuar te bankat tregtare për t’u shpërndarë në popullatë rreth 2.9 milionë bono privatizimi, për një vlerë totale prej 72.7 miliardë lekësh.

Ndërkohë, rreth 345 mijë copë privatizimi, për një vlerë totale prej 10.6 miliardë lekësh u prodhuan, por nuk u shpërndanë asnjëherë dhe ngelen aktualisht gjendje në Bankën e Shqipërisë.

Nga bonot e shpërndara (72.7 miliardë lekë në total), Banka e Shqipërisë bën të ditur se janë arkëtuar mbrapsht nga bankat tregtare rreth 1.7 milionë copë bono, për një vlerë totale prej 40.3 miliardë lekësh.

Kjo vlerë përfaqëson shumën totale të bonove që janë përdorur deri më sot në proceset e privatizimit të pronës shtetërore ose në legalizimin e pasurive të paluajtshme. Sipas ligjit, bonot e përdorura dhe të dorëzuara në Bankën e Shqipërisë duhet të asgjësohen.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë bën të ditur se një pjesë e vogël e bonove të dorëzuara (rreth 45 mijë copë, për një vlerë totale prej 1.2 miliardë lekësh) janë arkëtuar nga bankat tregtare dhe janë gjendje në Bankën Qendrore, por nuk janë asgjësuar ende.

Përfundimisht, gjithmonë duke iu referuar informacionit të Bankës së Shqipërisë, sasia e bonove të privatizimit të shpërndara dhe të pakthyera ende në Bankën e Shqipërisë është rreth 1.2 milionë copë, për një vlerë nominale prej 32.4 miliardë lekësh.

Kjo shumë përfaqëson sasinë e bonove që supozohet se është ende në qarkullim dhe mund të përdoret në procese të privatizimit apo legalizimit.

 

Si mund të përdoren sot bonot e privatizimit?

“Monitor” iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), (ministri ku është e përfshirë Drejtoria e Privatizimit të Pronës Shtetërore), lidhur me përdorimin e deritanishëm të bonove të privatizimit dhe mundësive që kanë qytetarët për përdorimin e mëtejshëm të tyre.

Në përgjigjen e saj, MEKI shprehet se Drejtoria e Privatizimit përgatit dosjet e privatizimit për objektet për të cilat Ministri nxjerr urdhër privatizimi.

Pas plotësimit të dosjes, sipas ligjit dhe procedurave të përcaktuara me akte ligjore dhe nënligjore, dosja përcillet në strukturën e Drejtorisë së Shitjes së Pronës Publike, strukturë e cila aktualisht ndodhet në Ministrinë e Financave.

Pas ndarjes së Ministrisë së Financave nga ajo e Ekonomisë, në fillim të këtij viti, procesi i privatizimit ka ngelur midis këtyre dy dikastereve, megjithëse, në pamje të parë, do të ishte më e arsyeshme që i gjithë procesi të inkuadrohej brenda një ministrie të vetme.

Në reagimin e saj, MEKI shpjegon se struktura e Drejtorisë së Shitjes, i pranon bonot si mjet pagese, pagesë e cila kryhet në sportelet e bankës së nivelit të dytë, vetëm në dy raste:

– për shitjen e objekteve për pronarët (ish-pronarët) e truallit, të cilët kanë fituar të drejtën e pronësisë mbi truallin;

– për shitjen e objekteve, subjekteve të cilët kanë marrë objektin me qira 1 Euro, emfiteoze dhe kanë realizuar një vlerë investimi mbi 150% të vlerës së truallit.

Sipas MEKI, aktualisht janë rreth 762 objekte të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ministrisë së Brendshme, të cilat janë të destinuara për privatizim.

Për 222 prej tyre kanë filluar procedurat e privatizimit me miratimin e tyre për privatizim dhe ngritjen e komisioneve të vlerësimit, por ato janë pezulluar me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, duke qenë se për këto objekte ka kërkesa nga ish-pronarët e truallit, që pretendojnë të drejtën e parablerjes në privatizim.

Ndërkohë, janë rreth 70 objekte të dhëna me qira/enfiteozë apo me kontrata me çmim simbolik 1 Euro, të cilat do të hyjnë në privatizim, pasi përfituesit të realizojnë vlerën e parashikuar të investimeve. Në proces privatizimi, subjektet mund t’i paguajnë këto objekte me 80% me bono privatizimi.

Në lidhje me përdorimin e bonove në procesin e legalizimit, MEKI sqaron se nuk ka informacion për këtë proces dhe se institucioni përgjegjës për të është Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK).

“Monitor” iu drejtua me një kërkesë për informacion ASHK-së lidhur me përdorimin e bonove të privatizimit në këtë proces, por ky institucion nuk ka kthyer asnjë përgjigje.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të korrikut 2023, “Për përcaktimin e rregullave të hollësishme për kalimin e së drejtës së pronësisë dhe regjistrimin e pasurisë së legalizuar, pagesën, çmimin favorizues, kategoritë e subjekteve që përfitojnë falje, si dhe zbritjet e përqindjet e përdorimit të bonove të privatizimit”, pagesa e detyrimit financiar për parcelën ndërtimore, pavarësisht nga funksioni i objektit pa leje, mund të kryhet në lekë, në vlerë të plotë monetare, ose me bono privatizimi, deri në 50% të vlerës së parcelës.

Bazuar në parashikimet ligjore aktuale, legalizimi i pasurive të paluajtshme është segmenti ku bonot e privatizimit mund të gjejnë përdorim më masiv. Procesi i legalizimit të pasurive të paluajtshme ka nisur që në vitin 2006, por megjithatë duket ende larg përfundimit. Megjithëse ASHK nuk ka publikuar shifra të përditësuara zyrtare rreth numrit të ndërtimeve në pritje për t’u legalizuar, besohet se numri i tyre është ende shumë i madh dhe rrjedhimisht, edhe potencialet e përdorimit të bonove të privatizimit.

Cili duhet ta formalizojë tregun e bonove të privatizimit?

Gjatë pothuajse 30 viteve që bonot e privatizimit qarkullojnë në ekonominë shqiptare, tregtimi i tyre është bërë pothuajse në të gjitha rastet nëpërmjet ndërmjetësve informalë. Historikisht, bonot e privatizimit janë tregtuar në të ashtuquajturin “sheshi i dollarit”, pranë Bankës së Shqipërisë.

Nëse tregtimi i valutave tashmë është formalizuar në pikat e licencuara të këmbimit valutor, problemi i tregut informal të bonove të privatizimit ngelet i pazgjidhur.

“Monitor” iu drejtua Ministrisë së Ekonomisë, Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare me pyetjen nëse ky treg duhet të formalizohet dhe cili është institucioni që ka përgjegjësinë për ta bërë këtë gjë. Megjithatë, asnjë prej këtyre institucioneve nuk ka dhënë përgjigje për pyetjet e mësipërme.

Në përgjigjen e saj, Banka e Shqipërisë shprehet se ligji i ngarkon detyrat vetëm si magazinues, shpërndarës dhe asgjësues i bonove të privatizimit, duke lënë të kuptohet se çdo funksion i mëtejshëm është përtej kompetencave të Bankës së Shqipërisë.

Ligji “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit” në nenin 5 përcakton se bonot e privatizimit mund të tregtohen lirisht midis shtetasve.

Por, në nenin 11, ligji përcakton gjithashtu se “Ministria e Financave ngarkohet me përgatitjen e dispozitave ligjore për organizimin dhe veprimtarinë e shoqërive investuese të letrave me vlerë dhe për veprimtarinë e bursës (tregut të letrave me vlerë)”. Kjo dispozitë nënkupton se bonot e privatizimit, ashtu si letrat e tjera me vlerë, duhet të tregtohen në mënyrë të formalizuar dhe në një treg të rregulluar.

Bursa shtetërore (Bursa e Tiranës) nuk u bë asnjëherë funksionale dhe u mbyll që në vitin 2013, ndërsa aktualisht në Shqipëri vepron një bursë e licencuar private (Bursa Shqiptare e Titujve, ALSE).

Institucioni i ngarkuar me ligj për rregullimin e tregjeve financiare jobankare, duke përfshirë tregun e letrave me vlerë, është Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Megjithatë, ky institucion nuk iu përgjigj kërkesës për informacion të “Monitor” lidhur me tregtimin e bonove të privatizimit.

Në dekadën e fundit, bonot e privatizimit nga ndërmjetësit informalë janë tregtuar me çmime relativisht të ulëta në raport me vlerën e tyre nominale. Çmimi i tregtimit ka lëvizur në intervalin nga 8% deri në 12%, në momente të ndryshme.

BSH: Përgjegjësitë tona në lidhje me bonot janë të kufizuara

Në përgjigje të kërkesës për informacion të drejtuar nga “Monitor”, Banka e Shqipërisë shprehet se procesi i lidhur me bonot e privatizimit nuk drejtohet nga Banka e Shqipërisë. Emetuesi i bonove të privatizimit është Ministria e Financave, sipas përcaktimeve ligjore, ndërsa roli i Bankës së Shqipërisë është “magazinues”, “shpërndarës” dhe “asgjësues” i tyre pas përdorimit për privatizime dhe legalizime.

Procesi i shpërndarjes është mbyllur shumë herët në kohë, në vitin 2006, dhe nuk ka emetim të bonove të reja në treg. Edhe ky proces është bërë nga bankat tregtare për llogari të Ministrisë së Financave apo Ministrisë përkatëse sipas ndryshimeve në vite (kush është marrë me privatizimet/legalizimet – si çdo veprim thesari).

“Pra, theksojmë se Ligji apo çdo akt tjetër normativ mbi bonot e privatizimit përcakton rolin e Bankës së Shqipërisë të kufizuar vetëm në: procesin e prodhimit, të bazuar në nenin 10, ligji nr.7918, datë 13.4.1995 “Për miratimin me ndryshime të dekretit nr.1030, datë 23.2.1995” “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit” dhe dekretit nr.1049, datë 27.3.1995 “Për disa plotësime në dekretin nr.1030, datë 23.2.1995 “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit”; procesin e asgjësimit të sasisë së bonove, të cilat pas përdorimit sillen në Bankën e Shqipërisë nga bankat tregtare sipas Vendimit nr. 283, datë 30.04.1996 të Këshillit të Ministrave.

Marrëdhëniet midis Ministrisë së Financave/Ekonomisë dhe bankave tregtare janë të drejtpërdrejta dhe aspak të ndërlidhura me Bankën e Shqipërisë, si çdo veprim për llogari të Thesarit të Shtetit. Ministria e Financave apo e Ekonomisë është përgjegjës për dhënien e së drejtës bankave tregtare për hapjen e llogarive të Thesarit në Bono Privatizimi dhe kryerjen e transaksioneve nga bankat tregtare, me klientët për llogari të tyre”, thuhet në përgjigjen e Bankës së Shqipërisë.

Në lidhje me pranimin e Bonove të Privatizimit nga bankat tregtare pas përdorimit, Banka e Shqipërisë sqaron se ajo kryen asgjësimin fizik të tyre për llogari të Ministrisë së Financave, që bën edhe menaxhimin e këtyre transaksioneve.

“Tashmë, bonot e përdorura gjatë procesit të legalizimeve apo privatizimeve, për llogari të Ministrisë së Financave, sipas përcaktimeve ligjore, grumbullohen prej bankave tregtare, sipas marrëveshjeve të bëra midis Ministrisë dhe këtyre bankave tregtare, e më tej asgjësohen sipas përcaktimeve ligjore.

Banka e Shqipërisë, koordinon me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, pas procesit të grumbullimit të bonove të përdorura për privatizim dhe legalizim nga Bankat tregtare, vetëm procesin e asgjësimit.

Pra, aktualisht, përgjegjësitë ligjore të Bankës së Shqipërisë në këtë drejtim janë të kufizuara vetëm në procesin e asgjësimit të bonove të përdorura, të cilat sillen në Bankën e Shqipërisë nga bankat tregtare (Vendimi 283 datë 30.04.1996 i Këshillit te Ministrave)”, thuhet në prononcimin e Bankës së Shqipërisë për “Monitor”.

Dështimi me fondet e investimit në bono privatizimi

Kuadri ligjor për bonot e privatizimit parashikonte mundësinë e krijimit të fondeve të përbashkëta të investimit, ku mbajtësit e bonove të privatizimit mund të bashkonin këta tituj, me qëllim pjesëmarrjen në proceset e privatizimit të ndërmarrjeve apo pronave publike.

Në vitin 1996, u licencuan fillimisht tre fonde investimi të këtij lloji. Megjithatë, mes tyre vetëm fondi “Anglo-Adriatika” në Tiranë nisi të ushtronte aktivitet në mbledhjen e bonove të privatizimit, ndërsa dy fondet e tjera nuk u bënë asnjëherë aktive, edhe për shkak të trazirave të vitit 1997.

Ky fond arriti të tërhiqte më shumë se 41 mijë pjesëmarrës, që investuan bonot e privatizimit në të, duke marrë në këmbim kuota (aksione) të fondit. Megjithatë, ky fond nuk arriti ndonjëherë të merrte pjesë në procese privatizimi, edhe për shkak të kufizimeve dhe strategjisë së ndjekur nga qeveritë shqiptare në këto procese.

Në vitin 2017, “Anglo-Adriatic Group Limited”, kompania që themeloi fondin “Anglo Adriatika”, paditi qeverinë shqiptare në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar, për shkak të dëmit të pretenduar nga moslejimi për të marrë pjesë në procesin e privatizimeve.

Megjithatë, në vitin 2019, Gjykata e rrëzoi kërkesën e “Anglo-Adriatic Group Limited”, duke arritur në përfundimin se ky subjekt nuk ka kryer një investim të mbrojtur sipas ligjit “Për investimet e huaja” dhe rrjedhimisht, çështja nuk hyn në juridiksionin e Gjykatës së Arbitrazhit./Monitor