Aplikacion
Rusia është duke e rritur prodhimin e armëve për ta përballuar luftën në Ukrainë, por duke i kërcënuar kështu edhe shtetet baltike, si dhe Gjeorgjinë e Moldavinë, është cituar të ketë thënë Pistorius, përgjatë një interviste për gazetën Welt am Sonntag. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara me kohë do ta zvogëlojnë përkushtimin ushtarak në Evropë, pasi kanë më shumë interesim për Indo-Paqësorin.
“Ne evropianët duhet të angazhohemi më shumë, për të garantuar sigurinë e kontinentit tonë”, ka thënë Pistorius, ndonëse e ka pranuar se rajonit do t’i duhet kohë për të rritur prodhimin e armëve. “Do të na duhen 5-8 vjet për të arritur cakun, sa u përket forcave të armatosura, industrisë dhe shoqërisë”, ka thënë ai. Evropa e ka të qartë që do të duhet të kompensojë ndihmën amerikane për Ukrainën, nëse Uashingtoni nuk arrin pajtueshmëri për fondet e reja, ka shtuar ministri gjerman.
Sipas tij, pushteti i ri në Poloni, më miqësor me Evropën, do të mundësojë që vendet e Trekëndëshit të Vajmarit, Berlini, Parisi dhe Varshava, të rrisin bashkëpunimin e tyre ushtarak. Pistorius ka thënë se nuk parasheh që ushtria gjermane t’i përsërisë misionet sikurse ato që i ka pasur në Afganistan apo Mali. Misioni gjerman në Afganistan, ka qenë i pari për këtë shtet prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. /REL/