“THE NEW ISLAM NË TIRANË
Jo vetëm përpara 30 vitesh por edhe përpara 5 vitesh kjo foto do ishte e paimagjinueshme në Tiranë. Kaq shumë vajza dhe gra të mbuluara, Tirana dhe Shqipëria ndoshta nuk ka patur kurrë që kur Mbreti Zog e ndaloi ferexhene me ligj në vitin 1937.
Sot, muslimanët e Shqipërisë gjithnjë e më shumë i veshin vajzat dhe gratë e tyre si një detyrim ndaj Islamit duke e përdorur shaminë si shenjë dalluese.
Duket sikur muslimanët dhe sidomos gratë e tyre duan ta shpallin që janë muslimanë në distancë.
Kam folur me shumë nga këto gra dhe të gjitha më thonë se ndjehen më të mbrojtuara nga burrat dhe nga shoqëria, më të lumtuara dhe gjithnjë e më të integruara në komunitetet ku jetojnë duke u mbuluar.
Një vajzë 14 vjec me emrin Medina, që po falej sot në sheshin Skënderbej,pasi pranoi ta fotografoja, më tha se është mbuluar vetëm për sot, ditën e Bajramit,por mezi pret qe vitin tjetër të mbulohet përgjithmonë.
Përjetësisht,e pyeta
Përjetësisht,tha Medina duke qeshur.
Me keqardhje nuk vura re asnjë shqetësim, asnjë detyrim dhe asnjë dilemë në fytyrën e saj të pastër.
Gjatë këtyre muajve të fundit i kam kërkuar shumë grave muslimane të mbuluara,në moshë, të pozojnë për mua dhe shumica kanë refuzuar,duke vënë dorën mbi fytyrë apo duke u rrudhur nga sikleti.
Islami,tradita dhe burrat nuk ua lejojnë të fotografohen.
E kundërta ndodh me vajzat e reja.
Ato janë miqësore,pozojnë duke qeshur,llastohen dhe flasin hapur për raportet e tyre me fenë,me shoqërinë dhe me djemtë.
Pasi i fotografoj kanë vetëm një kërkesë. Në cfarë adrese instagrami mund ti marr fotot.
Ky është Islami i Instagramit.
Duke e ditur se muslimanët nuk pranojnë se dogma e tyre mund të reformohet, nuk e di a më lejohet të them se ky është The New Islam.
Një Islam i Ri
Ai është shumë më i hapur, shumë miqësor, shumë i ciltër dhe me shumë kolorit.
Një Islam që do të jetojë mirë dhe të bashkëjtojë edhe më mirë.
Ky Islam i Ri sakrifikon për te jetuar më mirë, por jo për të vuajtur më shumë.
Për Islamin e Ri, distanca mes njeriut dhe Zotit është më e qartë, më e dukshme dhe më e arritshme.
Ky lloj Islami është cetrifugal, vetëkontrollues dhe i lexueshëm por nuk është negativ, mohues,i mbyllur dhe imponues.
Me fjalë të tjera ai rrotullohet pa dyshim rreth Muhamedit dhe Kuranit,por nuk mohon atë që nuk buron nga Muhamedi dhe Kurani.
Ky është një Islam njerëzor,modest dhe estetik që ndjek modën e vet.
Shumë nga vajzat që pashë sot në sheshin Skënderbej ishin zbukuruar,kishin lyer buzët,ishin parfumosur,kishin syze dielli,rrinin mbi taka dhe nuk kishin mbuluar trupin detyrimisht.
Falja e Bajramit dukej si një sfilatë mode,një garë mes hixhabëve,shadorëve, nikabëve dhe shumë pak burkave të zeza.
A ka dhe Islami modën e vet?
Sigurisht që ka dhe duhet inkurajuar që ta ketë.
Disa ditë më parë u futa rastësisht në një dyqan ku qepeshin shami të llojeve të ndryshme dhe aty kuptova ku ndryshon jo vetëm moda, por edhe veshja e grave të mbuluara muslimane.
Është njëlloj si ndryshimi që ka një xhaketë me një pelerinë, një pallto me një xhup apo një jelek me një triko për burrat.
Po përpiqen ti bëj një renditje dhe shpjegim.
Burka është mbulim i plotë i fytyrës, flokëve dhe syve.
Nikab është mbulim i flokëve dhe fytyrës por jo i syve.
Shador është një veshje e gjatë që rrotullohet rreth kokës dhe pjesës së sipërme të trupit duke lënë të zbuluar vetëm fytyrën.
Hixhab është mbulimi i pjesshëm i flokëve por jo i fytyrës dhe as i syve.
Natyrisht që mua më pëlqen ky i fundit, pavarësisht se në sfilatën e sheshit Skënderbej konkurronin në masë hixhabët me shadorët.
Të gjithë me ngjyra të celëta që farfurinin në diell.
Ky shënim për kategoritë e veshjeve kufizuese të grave muslimane për mua nuk ka asnjë kuptim, përvec njërit.
Stili i jetesës tregon aftësinë dhe mundësinë e komuniteteve të ngurta të izoluara dhe të paragjykuara për tu përshtatur me pjesën tjetër të botës.
Islami ka gjetur dhe po gjen mënyrën e vet për tu klimatizuar me të gjithë ne që nuk e njohim, që nuk e besojmë dhe që e paragjykojmë.
Në qindra vite shumë njerëz në Perëndim, janë përpjekur të kuptojnë nëse mund të bashkëjetohet me Islamin dhe me doktrinën e tij jomiqësore ndaj feve të tjera dhe sidomos ndaj grave.
Islami dukej si një fe e krijuar për të ndëshkuar gratë dhe qafirët, pra ata që nuk besojnë te Muhamedi apo nuk besojnë sic duhet tek ai.
Në kushtet e një Islami mesjetar dhe shumë të izoluar nga bota, deri para disa dekadash,gratë më shumë se qafirët, ishin viktimat e tij më të kollajshme shtëpiake.
Ndoshta kjo po ndryshon.
Gratë që pashë sot në shëshin Skënderbej nuk mu dukën të kontrolluara nga burrat apo baballarët e tyre përmes instrumentit të Islamit, por si qenije njerëzore që e kanë zgjedhur Islamin pavarësisht nga dëshira e burrave.
Gjithnjë kam pyetur veten pse nuk ka hoxhë apo imam femëror.
Në kushtet kur gratë luajnë futboll dhe bëjnë cdo lloj pune që para 30 vitesh e bënin vetëm burrat,kleri fetar ka mbetur i vetmi profesion i botës, i pafeminizuar.
Ndoshta hapja e shoqërive mund ta ndryshojë edhe Islamin duke e feminizuar dhe duke i dhënë kontroll të barabartë burrave dhe grave në administrimin e përditshëm të Zotit dhe punëve të tij.
Nëse kjo ndodh,me siguri edhe vetë Zoti do ndjehej më i përkëdhelur.
Sepse jo vetëm ne por edhe Zoti ka nevojë për The New Islam.
Për një Islam të Ri.”
Ky ishte shkrimi i Ben Blushit, i cili u komentua negativisht dhe shkaktoi një lumë komentesh në rrjetin Facebook.
Statusi i Blushit ishte në lidhje me vajzat dhe gratë shqiptare, të cilat mbulohen për shkak të fesë.
Menjëherë pas këtij postimi, komentuesit kanë nisur reagimin e tyre. Zoom. al po ju sjell disa prej komenteve.
Gjithashtu, ka reaguar me një status në Facebook edhe Indrit Vokshi ku shkruan ”
Ben Blushi fyen Fenë Islame?
Në një reportazh të tij për Bajram, Ben Blushi na lajmëroi se kishte fotografuar disa vajza adoleshente muslimane të mbuluara me shami. Vajzat e reja muslimane, sipas Blushit, kishin qejf të fotografoheshin dhe, pyesnin për adresën e instragramit ku do të postohet fotoja. Deri këtu ska asnjë problem.
Por sipas Ben Blushit, falja e namazit të Bajramit në sheshin Skëndërbej, na qenkësh një sfilatë mode dhe rivalitet veshjesh mes hixhabit dhe shadorit. Ai shkruan se deri dje, midis nesh paskemi pasur një islam mesjetar e të izoluar nga bota.
Tani na paska lindur “Islami i Ri”.
“Shumë më i hapur, shumë miqësor e me shumë kolorit”, shkruan shkrimtari. “Ky është një Islam modest, njerëzor dhe estetik..”.
Kjo i injorancë kërkon disa sqarime:
1. Islami i Ri në thonjëza, na qenka i hapur e miqësor? Po i vjetri si ka qenë? Si ka mundësi që nuk e paskan masakruar e spastruar fisin e Blushit përgjatë 500 viteve para vitit 1944? Islami i Vjetër sikurse pranonte lagjen e Fanarit në Stamboll, pranonte edhe lagje të krishtera në qytetet ku shteti zyrtarisht islam dominonte politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht. Edhe nacionalizmi shqiptar nuk do të kishte lindur po të mos kishin dashur shqiptarët muslimanë të cilët e krijuan dhe e avancuan, me Hoxha Tahsin i cili njihet botërisht si themeluesi i nacionalizmit shqiptar. E ky nacionalizëm i muslimanëve nuk u bë nacionalizën me spastrim fetar si ai grek e serb por u krijua si nacionalizëm përfshirës e përbashkues. Muslimanët shqiptarë në këto 30 vite kanë votuar e pranuar tre kryeministra ortodoksë. E ska problem se i kanë pranuar pasi ata janë shqiptarë, janë pjesë e shtetit, pjesë e vendit tonë. Thjesht vlen për ilustrim, për të pyetur; a ndodh kjo diku tjetër?
2. “Islami i ri” na qenka njerëzor, modest dhe estetik? Po i vjetri si ka qenë? A ka qenë jonjerëzor? Ska qenë jonjerëzor sepse muslimanët në Shqipëri historikisht kanë njohur sadakanë, kanë këngë ku lavdërohet dhënia e sekatit (falja e pasurisë tek të tjerët) dhe kanë një histori disi të madhërishme bamirësie e vakëfi.
3. Sa i përket estetikës, duhet sqaruar diçka. Falja e namazit nuk është modë. Përtej këtij banalizimi blushian, qëndron detyrimi që muslimani kur të falë sidomos namazin e Bajramit, të jetë i larë e i shpërlarë, me rrobat më të mira e më të pastra. Shqiptarët muslimanë kanë pasur hamamin (emrin e bërë pezhorativ), por hamami ka qenë “Beauty Center” e kohës, për estetikë, masazhe, larje e shpërlarje. E ngjashme identik me therman romake. Në një botë ku higjena nuk ishte aq e dashur.
4. Sa i përket modës. Muslimanizmi në Shqipëri është “fenomen” qytetar. Është i vendosur e i lulëzuar në qytete, aty ku ishin profesionet, tregtia, zejet, terzitë e tabakët, poçarët e kasapët. Duke qenë kështu, duke qenë edhe fe e perandorisë muslimane, shqiptarët muslimanë kanë poseduar pasuri, kanë qenë avangardë në Ballkan e më përtej. E kanë njohur pasurinë, salltanetin, modën dhe veshjet, disa shekuj para shekullit të incineratorëve.
4. Beni Blushi shkruan: “Stili i jetesës tregon aftësinë dhe mundësinë e komuniteteve të ngurta e të izoluara dhe të paragjykuara, për tu përshtatur me pjesën tjetër të botës”.
Shkruan i kompleksuar, shkruan sikur është belg a francez dhe në qytetin e tij ka shkuar një komunitet i vockël muslimanësh, është izoluar aty dhe paragjykohet vazhdimisht. Muslimanët në Shqipëri nuk janë as komunitet, komunitet quhet diçka tjetër. Nuk janë as të ngurtë, se ska kush i ngurtëson, nuk janë as të izoluar, se ska kush i izolon, nuk janë as të paragjykuar, se ska kush i paragjykon. Janë thjesht në vendin e tyre duke jetuar jetën e tyre të përditshme e të përnatshme.
Nëse Blushi i ka vënë qëllim vetes të vijë në qendër të vëmendjes, të paktën le të provokojë me argumente serioze, jo duke shkruar budallalliqe.”
Pas gjithë komenteve negative, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ben Bleshit. Blushi shkruan “BI BI komentet e ashpra dhe shume te dhunshme qe disa njerez i kane bere shenimit tim provojne cka kam shkruar.
Kam pare profilet e tyre dhe pothuajse te gjithe jetojne ne emigraciin. Aty ndihen te izoluar,te fristruar, te paintegruar, te perbuzur dhe per pasoje behen radikale.
Ata jane njerezit qe flasin me keq per cdo ndryshim qe vjen nga Atdheu i tyre, nuk duan qe ai te ndryshoje,sepse duan qe arsyet pse emigruan te mbeten aty per tu legjitimuar cdo dite ikjen nga Shqiperia.
Nuk eshte cudi pse radikalet qe vrasin mesues apo vene bomba neper Evrope nuk jane burra 70 vjec, por djemte e tyre qe kane lindur aty. Keshtu jane dhe keta dhe po te lexosh gjuhen e tyre eshte e vrazhde, kercenuese, brutale dhe natyrisht e shemtuar.
Keta muslimane jane armiqte e vertete te Islamit. Per shkakun e tyre ky besim paragjykohet dhe gjykohet.
Nderkohe vajzat qe pashe dhe ne Tirane dhe qe jane ne foto nuk jane si keta.
Ato jane te sigurta, te qeta, ato flasin degjojne bisedojne reagojne kuptojne dhe nuk kercenojne por qeshin.
Ato jane The New Islam.
Une e besoj se ky trend egziston dhe kushdo qe thote qe ne kete bote ka dicka qe nuk ndryshon e ka gabim.
Cdo gje ndryshon perfshi Zotin dhe ata qe e kane krijuar ate. Njerezit.
Kam nje urim per te gjithe ju: lexoni perpara se te kuptoni sepse shume prej jush mendoni se kuptoni para se te lexoni.”