Aplikacion
Në momentin që njëri prej tyre tentoi të futej në godinën ushtarake dhe ta fotografonte atë ndodhi dhe një përplasje me rojet ushtarake.
Ndërkohë dyshimet janë se tre të huajt mund të jenë agjentë.
Deri më tani, ata pretendojnë te jenë blogerë, që udhëtojnë nëpër botë dhe fotografojnë baza ushtarake të braktisura.
Por çfarë dihet deri më tani për tre të huajt?
Në profilin e saj në Instagram, ku mban emrin Lana Staor, 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva e përshkruan veten si fotografe, e cila fotografon kryesisht trashëgimi të shekullit të XX si dhe vende të braktisura. Në llogarinë e saj në Instagram, para se të ndodhte incidenti në Gramsh, ajo ka publikuar pamje nga ndërtesa të braktisura në vendin tonë.
E reja ka postuar dhe dy shoqëruesit e saj që eksplorojnë godinat me elektrikë dore. Ata janë Mikhail Zorin 23 vjeç me pasaportë ruse, si dhe 25-vjeçari ukrainas me inicialet F.A, i cili shkruan se është inxhinier kompjuterash dhe e kishte vizituar edhe më herët Shqipërinë, kur një vit më parë kishte qenë edhe në tunelin e Porto Palermos.
Ajo që ka ngritur më shumë dyshime që të huajt mund të jenë spiunë dhe jo turistë apo blogerë është fakti se gjatë kontrollit në çantën e njërit prej shtetasve të huaj janë gjetur aparatura spiunazhi, ku në çipet e tyre kishte foto të Uzinës.
Gjithashtu është e paqartë dhe dyshuese sjellja e tyre dhe sulmi me spray neuro-paralizues ndaj ushtarëve në Gramsh./ Zoom.al/