Aplikacion
Një operacion tokësor ushtarak në Rafah “rrezikon të shkaktojë vdekjen e më shumë civilëve. Ai rrezikon të shkaktojë më shumë kaos me ndihmën humanitare. Rrezikon të izolojë më tej Izraelin në botë dhe të rrezikojë sigurinë dhe pozitën e tij afatgjatë,” tha Blinken. Duke folur para se të largohej nga Izraeli, Blinken u tha gazetarëve se kishte zhvilluar “bisedime të hapura”, përfshirë ato kryeministrin Benjamin Netanyahu.
Sekretari Blinken diskutoi gjithashtu në takim me Netanyahun përpjekjet për të arritur një marrëveshje për armëpushim prej të paktën gjashtë javësh që do të siguronte lirimin e pengjeve dhe do të mundësonte rritje të ndihmës humanitare, tha në një deklaratë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mattheë Miller. Kryeministri Benjamin Netanyahu i tha kryediplomatit amerikan Antony Blinken të premten se Izraeli është i përgatitur të vazhdojë luftën e tij kundër Hamasit i vetëm.
Zoti Netanyahu deklaroi se i tha Sekretarit Blinken se vlerësonte mbështetjen e SHBA-së në luftën e saj kundër Hamasit dhe se Izraeli e pranon se duhet të mbrojë civilët. Megjithatë, ai përsëriti se Izraeli do të vazhdojë me planet për të filluar operacionin në Rafah, ku më shumë se një milion banorë të Gazës po banojnë në streha të improvizuara.
“Unë thashë gjithashtu se nuk kemi asnjë mënyrë për ta mposhtur Hamasin pa shkuar në Rafah dhe pa zhdukur pjesën tjetër të batalioneve atje. I thashë se shpresoj ta bëjmë këtë me mbështetjen e SHBA-së, por nëse duhet, ne do ta bëjmë këtë edhe vetëm”, tha zoti Netanyahu në një deklaratë për gazetarët.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë tha se do të ndajë me zyrtarët izraelitë alternativat për eliminimin e grupit militant palestinez Hamas në Rripin e Gazës pa një ofensivë tokësore në Rafah, për të cilën Uashingtoni thotë se do të ishte një “katastrofë”. /ZOOM.AL/
Berisha: Viktima Alfred Dedja, menaxher dhe dëshmitar në vendin ku u copëtua trupi i Jan Prengës