zoom

Politikë

Blendi Fevziu rrëfen prapaskenat e intervistës me Ramën: Erdhi 3 orë përpara me një hekur

Gazetari Blendi Fevziu zbuloi anën që nuk shihet nga publiku kur intervistoi Edi Ramën.

Në një bisedë në “MCN”, Fevziu tregoi se në intervistën e parë që bëri me Ramën, ky i fundit shkoi në studio 3 orë para. Me vete, sipas Fevziut, ai mbante një hekur dhe e drejtonte ndriçimin nga vetja.

Fevziu dhe Ylli Rakipi bënë edhe një analizë të situatës politike sot dhe rolit që çdo aktor ka.

Pjesë nga biseda në studio:

Ylli Rakipi: Sot Rama i ka marrë të gjitha. Nëse një person që nuk e njeh Shqipërinë, të kërkon të përshkruash pushtetin e Edi Ramës, si e përshkruan ti?

Blendi Fevziu: Edi Rama është i pakërcënuar për momentin. Kjo është më e madhja në politikë, nuk ka njerëz të pakërcënuar. Nuk ka gjë më të tmerrshme, se kur njeriu më i pushtetshëm i vendit të mos ndihet i kërcënuar nga asgjë. Është sa përgjegjësi e opozitës, ndërkombëtarëve, partisë së vetë, etj.

Ylli Rakipi: Edhe doktori u përpoq ti merrte të gjitha por nuk mundi. Mirëpo Edi Rama kërkon të marrë edhe opozitën, ta ndërtojë edhe atë dhe ta ketë nën kontroll. Luli Bashën përshembull, me të cilin do të votojë ligjet.

Blendi Fevziu: Nuk është çudi. Në pjesën më të madhe të të djathtës, përgjegjësinë nuk mund ta shohin te Rama për ngjarjet te opozita. Nëse Rama u ka marrë liderin që kishin për tetë vite, është përgjegjësi e opozitës. Nëse PD do të kishte standard demokratik, nuk do të votonte sërish Bashën. Unë kam thënë, që opozita duhet të ishte kontrast i plotë me qeverisjen. Nëse Rama nuk bën zgjedhje në parti dhe nuk ikën, kryetari i PD duhet të largohej.

Ylli Rakipi: Të mbetemi te Rama, sepse do të flasim edhe për opozitën. Jemi në mandatin e tretë, mendohet se do fitojë sërish Rama dhe do të mbretërojë ai. Si e sheh ti Ramën, i ka bërë mirë apo keq Shqipërisë?

Blendi Fevziu: Ndejtja gjatë në pushtet, e kalçifikon një lider. Ndryshimi dhe rrotacioni i bën mirë një vendi. Këtu komplikohet me faktin që tjetrin duhet ta mundësh me zgjedhje. Justifikimi që nuk ka zgjedhje, sepse ai nuk lë zgjedhje nuk ka kuptim. Rama e ka shteruar pjesën kryesore të asaj që mund të jepte. Për momentin nuk ka shumë nerva të merret me administrimin e vendit, merret më shumë me politikën e jashtme. Brenda merret me shumë më turizmin, që nuk jam kundër. Por nuk e di a ka më çfarë japë Rama. Unë e kam bindje, që zgjatja në pushtet nuk është lajm i mirë për askënd.

Ylli Rakipi: Por, është mjeshtër i madh, e tregojnë të tillë edhe për lobimet.

Blendi Fevziu: Rama ka qenë ndryshe, iku nga modeli i politikanit strikt dhe serioz. Ai paralajmëroi një epokë të tij që nuk na ra në sy në momentin e parë. Kur më erdhi mua në emision për herë të parë, më morën në telefon të shqetësuar, sepse kishte ardhur tre orë para dhe drejtonte me një hekur ndriçimin nga vetja…