zoom

Ekonomi

Biznesi, apel qeverisë dhe Bankës: Normalizoni euron, po na falimenton. Do na kthejë në vitin 92

Shoqatat e biznesit në Shqipëri i kanë dërguar një letër guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe ministres së Financave, për të marrrë masa ndaj zhvlerësimit të euros, ose përndryshe ekonomia do të futet në “terapinë shok”.

Shtatë shoqatat eksportuese, prodhuese dhe të sektorit të turizmit theksojnë se rënia e euros në nivelet më të ulëta të ulëta historike rrezikon kthimi në një ekonomi të pastër importuese të ngjashme me atë të vitit 1992.

Në letrën dërguar Gent Sejkos dhe Delina Ibrahimajt, shoqatat pohojnë se zhvlerësimi i fortë i euros muajt e fundit, ka dëmtuar shumë rëndë industrinë prodhuese, eksportuese dhe turizmin vendase duke drejtuar shumë subjekte drejt falimentimit.

“Sigurisht që kjo gjë do të shoqërohet me reduktim të të ardhurave në arkën e shtetit. Pasojat negative në tregun vendas, do të jenë afatgjata dhe do të jetë e pamundur të kompensohen me disa efekte pozitive të përkohshme. Mungesa e transparencës dhe injorimi i makro impakteve ekonomike, lë shteg për dyshime e supozime dhe si të tillë, kërkohet ndërhyrja juaj, për të analizuar, gjetur dhe frenuar këtë trend të rrezikshëm për ekonominë e vendit tonë”, -shkruhet në letër.

Grupet e interesit kërkojnë nga qeveria dhe autoriteti monetar të bëjnë një analizë të detajuar mbi situatën dhe ndikimin që po sjell në ekonomi. Të hetojnë faktorët natyralë dhe jonatyralë dhe të ketë transparencë. Ata kërkojnë komunikimin nga autoritetet si edhe vendimmarrje për normalizim të situatës.

Një ditë më parë, ministrja Ibrahimaj tha se rënia e euros është ulur nga hyrjet e jashtme në Shqipëri. Banka e Shqipërisë nuk ka pasur asnjë reagim.

Që nga fillimi i 2023-shit, kursi i euros ka rënë me 2.5%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë rënia e euros ka arritur në 7.6%. Ditën e martë rënia e euros në kursin e këmbimit me lekun u thellua edhe shumë. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye me 111.34 lekë, në rënie me 0.47 pikë krahasuar me ditën e hënë dhe duke prekur një minimum të ri historik. Për vitin 2022 humbjet e bizneseve eksportuese nga kursi i këmbimit llogariten në vlerën e 225 mln eurove.

Operatorët e këmbimit valutor pranojnë një sasi të madhe eurosh në treg, por edhe të valutës së huaj në tërësi.

Në letrën drejtuar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko dhe ministres së Financave dhe Ekonomisë znj. Delina Ibrahimaj, janw shoqatat, si: Proeksport Albania (PEA), Shoqata e Prodhuesve Shqiptarë, Shoqata e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike (BMA), Bashkimi i Industrialistëve në Shqipëri (BISH), Albanian Food Industry (AFI), Agrobiznesi Shqiptar dhe Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA).