zoom

Ekonomi

Biznesi 54 milionë euro i qirave ditore, vetëm nga AirBnb

Zgjerimi i sektorit të qirasë ditore, i nxitur nga fluksi i turistëve të huaj, po rrit ndjeshëm të ardhurat e e pronarëve të këtyre apartamenteve.

Në total, të ardhurat e gjeneruara për vitin 2023 në Shqipëri ishin rreth 53,8 milionë USD, sipas AirDNA, e cila analizon statistikat për strukturat e akomodimit me qira ditore nga platforma Airbnb.

Në raport me një vit më parë, të ardhurat e fituara nga këto struktura u rritën 86%. Krahasuar me vitin 2019, periudhën para pandemisë, të ardhurat nga shtëpitë e pushimit në AirBnb u rritën 2,5 herë më shumë.

Në gusht 2023, që vlerësohet muaji më i mirë për qiradhënësit, kishte rreth 188,8 mijë net-qëndrimi në AirBnb me çmim mesatar 85,3 USD/nata.

Nga të dhënat e AirDNA, vetëm për muajin gusht 2023 nga këto struktura janë fituar rreth 16,1 milionë USD. Krahasuar me vitin 2022, të ardhurat u dyfishuan.

Numri i apartamenteve dhe shtëpive të listuara për dhënie me qira ditore në AirBnb për 2023 arriti në 167 mijë. Në raport me një vit më parë, numri i tyre u rrit me 36%. Ndërsa krahasuar me vitin 2019, numri i shtëpive dhe apartamenteve të listuara në AirBnb u rrit me 1,3 herë.

Shtimi i listimeve është nxitur nga kërkesa e lartë për net-qëndrime. Sipas të dhënave të AirDNA, kërkesa për net-qëndrime në 2023 u rrit me 59% më shumë se 2022.

Ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme vlerësojnë se ndër faktorët kryesorë që favorizoi zmadhimin e këtij tregu mbetet rritja e kërkesës nga turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë.

“Faktori kryesor për rritjen e ofertës është kërkesa e lartë. Vitet e fundit, vendi ynë ka bërë hapa galopantë në zhvillimin e turizmit dhe kjo po jep rezultatet e shumëpritura.

Duke qenë se hoteleria nuk e përballon dot këtë kërkesë të lartë, turistët po orientohen drejt këtyre njësive akomoduese”, deklaroi më herët, Dritan Leka, nga “Century 21 CPM”.

Në Shqipëri, vitin e kaluar erdhën rreth 3,2 herë më shumë turistë të huaj krahasuar me numrin e popullsisë vendase. Në 2023, sipas të dhënave të INSTAT, numri i shtetasve të juaj që hynë në Shqipëri ishte 10.2 milionë turistë.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i turistëve të huaj u rrit me 33%. Numri i turistëve kulmoi në muajin gusht 2023, kur numri i vizitorëve të huaj arriti në 2 milionë. Në raport me muajin gusht 2022, numri i tyre u rrit me 18%.

Çmimet më të lira që ofrohen në Shqipëri se apartamentet me qira ditore në shtetet e rajonit dhe Bashkimit Europian, konsiderohen një ndër faktorët kryesorë që ka rritur kërkesën e të huajve për akomodim në këto struktura, sipas Stela Dhamit, nga “Colliers International Albania”.

Por znj. Dhami parashikon se pas ndryshimeve ligjore për formalizim, pronarët e këtyre strukturave do të jenë të detyruar të rrisin çmimet.

“Ato janë më të prekshme nga konsumatorët dhe turistët, të cilët kryesisht kanë ardhur në Shqipëri të orientuar prej çmimeve më të lira në krahasim me tregje të tjera më të zhvilluara të turizmit, si ato që kemi përreth.

Gjithashtu, këto struktura akomodojnë shumë mirë familjet dhe udhëtarët në grup, të cilët kanë dëshirë të jenë në të njëjtin ambient.

Mendoj se këto struktura tani, që do të jenë pjesë e deklarimit dhe pagesës së tatimit mbi burim, mund të ndiejnë presionin për të rritur çmimet për të mbuluar këtë shpenzim të shtuar, por mendoj të detyruar”, pohoi ajo më herët për “Monitor”.

Tarifa mesatare për net-qëndrimi për 2023 në Shqipëri ishte 68,8 USD sipas të dhënave të AirDNA. Krahasuar me tarifën mesatare ditore në vitin 2022, ajo u rrit 18%.

Mbiofertë edhe në këtë sektor

Çmimet vijojnë të jenë edhe për këtë vit më të lira se vendet europiane. Një ndër faktorët kryesorë të çmimeve të lira, sipas ekspertëve të tregut, është mbioferta, e cila rrezikon të krijojë flluskën në këtë sektor.

Nëse një i huaj kërkon të vizitojë në muajin janar Tiranën, nëpërmjet platformës “Booking” gjen apartamente 450 larg qendrës, me çmime që variojnë nga 3,500 deri në 5,700 lekë/nata.

Ndërsa çmimet e apartamenteve me qira ditore në këtë periudhë 1 km larg qendrës së Romës nisin nga 11,000 deri në 13,000 lekë nata. Në Milano, çmimet e apartamenteve në booking arrijnë deri në 18,000 lekë nata. Ndërsa Athina ofron apartamente me çmime 7,400 deri në 8,500 nata, por me largësi nga 6 deri 8 km larg qendrës.

Për zgjerimin e këtij aktiviteti, sipas drejtuesve të agjencive imobiliare, po investon më tepër shtresa e mesme, profesionistë të ndryshëm, njerëz të cilët e zhvillojnë si punë të dytë apo si një aktivitet që i sjell të ardhura shtesë.

“Personat të cilët paraqiten pranë zyrave tona dhe shprehin dëshirën të blejnë prona për këtë qëllim kanë zakonisht profesione të mira, të ardhura të larta dhe të mesme dhe akses në sistemin bankar.

Dominojnë si kategoria e profesioneve të lira, si: arkitekt, inxhinier informatike, dentistë apo ndërmjetës së pasurive të paluajtshme, pa lënë mënjanë vetë personelin e bankave të nivelit të dytë”, vlerësoi më herët Arbër Brahaj, nga “RealEstate.al”

Forma më e përhapur për investim, sipas tij, është që individët blejnë apartamente për t’i dhënë më pas me qira ditore. “Vihet re që po krijohet një numër “sipërmarrësish”, të cilët po krijojnë portofol me 5 deri në 6 apartamente dhe në disa raste më shumë, për dhënie me qira ditore”.

Sipas ekspertëve të tregut të pasurive të paluajtshme, në këtë treg po përfshihen tre kategori investitorësh, që dominohet nga individët që blejnë apartamente për këtë qëllim, por nuk mbeten pas as kompanitë./ Monitor