zoom

Ekonomi

Bileta e autobusit do rritet 70-80 lek? Shoqata e transportit publik: Kemi rritur pagat e stafit…

Shoqata e Transportit Publik po kërkon rritjen e biletës së autobusëve deri në 70-80 lekë, pra gati 2-fishin e asaj që është aktualisht, me argumentin se nuk janë në gjendje që të përballojnë shpenzimet që janë rritur si pasojë e krizës.

Ata kërkojnë nga qeveria subvencionim, në të kundërtën thonë se rritja e çmimit të biletës është e vetmja mënyrë që të mund t’i ndihmojë që të mos ndërpresin shërbimin.

Për mediat, Kryetari i Shoqatës së Transportit Publik, Dashnor Memaj tha se ka një disblanacë midis çmimit të rritur të naftës dhe asaj të biletës urbane, e cila ka mbetur në vendnumëro që prej disa vitesh.

Ndërkohë Kostandin  Foni, anëtar i Shoqatës së Transportit Publik, sqaroi se nuk ka qenë kërkesë e drejtpërdrejtë për rritjen e çmimit të biletës, por kur Memaj është pyetur se çfarë ndodh nëse ndërpritet subvencionimi, atëherë kërkojmë rritjen e çmimit të biletës.

“Ka qenë si propozim nëse institucionet vendore dhe qendrore nuk marrin parasysh kërkesat e mëparshme. Duke mos marrë parasysh këto, ka qenë një propozim për rritjen e çmimit. Por kjo nuk bëhet nga ana e jonë, por nga ministria e Transportit”, tha anëtari i shoqatës së transportit publik.

I pyetur nëse rritja e çmimit do të “ishte një kërkesë e vlefshme dhe a është një alternativë që do zgjidhte situatën?”, Foni u shpreh:

Në muajt prill-maj janë bërë subvencionimet. Ka vijuar edhe në gusht-shtator-tetor, për t’u ndërprerë në korrik-qershor. Në rast se nuk do të ketë një vijim të subvencionimit, kërkesat tona do të jenë po ato që kanë qenë”.

Sipas tij, duke parë ndërprerjen që ishte për muajin qershor-korrik, ekziston mundësia që subvencionimi të ndërpritet sërish.

“Kemi bërë kërkesa të vazhdueshme që të merren masa afatgjata dhe jo afatshkurtra, siç është subvencionimi, në mënyrë që të mos preket xhepi i qytetarëve”, tha Foni.

Më pas ai shpjegoi edhe pse mund të kërkohet 2-fishimi i çmimit të biletës.

“Është rritur çdo produkt, që nga mirëmbajtja e mjeteve. Ka ndikuar edhe rritja e pagave të stafit të këtij sektori. Një rritje e konsiderueshme, pasi kemi një mungesë të theksuar për shoferë, fatorino e me radhë.

Po japim të gjitha mundësitë që stafi mos të largohet nga ky sektor dhe Shqipëria”, tha Foni.