zoom

Aktualitet

Bilanci i një kapriçoje/ Aksidente e qindra makina të bllokuara në dëborë në rrugën e Arbrit

Kapriçoja e kryeministrit Edi Rama dhe papërgjegjshmëria e ministres përgjegjëse për ta hapur rrugën e Arbrit me patjetër në Ditën e Çlirimit, i ka kushtuar jo pak qindra qytetarëve të Tiranës dhe Dibrës.

Duke i besuar pikërisht deklaratave të kreut të qeverisë, por edhe garancisë që ofroi ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku dy ditë më parë se rruga ishte gati, ata, të gëzuar për realizimin e një ëndrre dhjetra vjeçare, vendosën që të kalojnë pikërisht nga ky segment i ri rrugor.

Por gëzimi ka përfunduar në vuajtje dhe në jo pak raste edhe në rrezik për jetën e tyre.

Qindra automjete që udhëtonin nga Tirana në drejtim të Dibrës dhe anasjelltas, u bllokuan për orë të tëra në Qafë Murriz. Pikërisht në By Pass-in e sajuar nga kompania ndërtuese “Gjoka” si një zgjidhje provizore deri në momentin e përfundimit të tunelit të Murrizit.

Terreni i vështirë malor, por edhe mungesa e standardeve rrugore në këtë segment, bëri që dëbora e pakët që ra gjatë pasdites, ta bënte atë të pakalueshëm për mjetet.

Për rrjedhojë, disa prej tyre, të panjoftuara nga ARRSH dhe Policia Rrugore për rrezikun që mbarte ky segment, janë gjetur të papërgatirur dhe kanë mbetur në mes të dëborës.

Qytetarë të të gjitha moshave, përfshirë edhe fëmijë, janë dashur të qendrojnë për orë të tëra në temperatura që këtë pasdite ranë disa gradë nën zero, në pritje të një zgjidhje nga autoritet.

Ndërsa ata që tentuan të sfidonin këtë terren, e gjetën vetën të aksidentuar në kanalet anës rrugës.

Një bilanc i rëndë ky i një kapriçoje të një kryeministri, i cili, në jo pak raste ka akuzuar parardhësin e tij në këtë detyrë se inauguronte rrugë të papërfunduara apo siç i pëlqen atij të shprehet, “rrugë të lenë rrugëve”.

Postime të lidhura