zoom

Aktualitet

Bie propaganda e Ramës, torturë në linjat e Wizz Air

Pak kohë më parë, kryeministri Edi Rama e konsideronte sukses ardhjen në vendin tonë të linjës “low cost” të “Wizz Air”.

Sipas tij, shqiptarëve do u kurseheshin plot 120 milionë euro, vetëm nga biletat me kosto të ulët që ofronte kjo kompani.

Megjithëse edhe vërtetësia e kësaj shume mbetet për t’u verifikuar, ajo me të cilën po përballen çdo ditë qytetarët që zgjedhin të fluturojnë me avionët e kësaj kompanie i ngjan një torture të vërtetë.

Pak ditë më parë, Zoom.al publikoi lajmin se udhëtarët e linjës Barcelonë-Tiranë kishin mbetur në aeroport për më shumë se 3 orë, pasi avioni kishte patur vonesa. Dhe ky nuk ishte rast i vetëm, por i përsëritur në vazhdimësi.

Ditën e sotme avionët e kësaj kompanie kanë shënuar një tjetër rekord. Në redaksinë e Zoom.al ka mbërritur denoncimi se fluturimi i “Wizz Air” Nice-Tiranë ka pasur një vonesë prej afro 6 orësh.

Pasagjerët kanë qendruar në aeroportin e Nicës të bllokuar gjatë gjithë kohës, ndërsa kompania nuk ka dhënë asnjë shpjegim për vonesën e krijuar.

Por ky nuk ishte rasti i vetëm për ditën e sotme, pasi disa faqe interneti publikuan një tjetër video që tregon se si pasagjerët, fëmijë e të moshuar torturohen prej stafit të avionit të “Wizz Air”, duke i mbajtur për orë të tëra në bord dhe pa ajër të kondicionuar.

Siç shihet edhe në video pasagjerët fillojnë të irritohen nga kjo situatë, ndërsa stafi i avionit në vend që të ndezë ajrin e kondicionuar, kujdesen që të heqin telefonët e pasagjerëve, të cilët po filmonin situatën e krijuar.

Madje në video është fiksuar edhe momenti ku si pasojë e mungesës së ajrit në bord, një vajze i bie edhe të fikët, ndërsa disa pasagjerë të tjerë dalin me forcë jashtë avionit, që për kushtet, i ngjan autobusëve urbanë të unazës së Tiranës.


Që prej nisjes së fluturimeve, “Wizz Air” ka kryer me qindra fluturime në destinacione të ndryshme. Një pjesë e shqiptarëve ka paguar bileta me çmime më të ulta, por shumë të tjerëve udhëtimet u kanë kushtuar disa herë më shumë sesa llogaritë e bëra sipas biletave të “Wizz Air” apo më shumë sesa mund të kishin udhëtuar me kompani të konsoliduara, si Austrian, Lufthansa, Turkish, Ita, etj.

Me dhjetëra fluturime raportohet të jenë anuluar në kthim për në Tiranë dhe kompania nuk ka marrë asgjë përsipër, përveçse t’u rimbursojë pasagjerëve biletat me çmime qersharake prej 30 deri në 60 euro.

Nëse një qytetar do të duhej të merrte një fluturim tjetër nga Nica në Tiranë, do të paguante nga 150 deri në 350 euro, gjithnjë nëse do të gjente linjë kthimi brenda pak orësh. Wizz Air rimburson vetëm biletën e vet dhe nuk merr në konsideratë asgjë tjetër.

Kështu, teksa janë përpjekur të kursejnë, flururimet “low cost” në fakt kanë rezultuar në “high cost”, një kosto e lartë jo vetëm financiare, pasi shumëkush ka humbur punën, takime biznesi dhe u është dashur të paguajnë edhe hotelin nëse nuk kanë arritur të gjejnë bileta brenda 24 orëve nga humbja e linjës së Wizz Air.