Aplikacion
Zhvillimet në tregun e punës tregojnë se sektorët e prodhimit, industria dhe bujqësia kanë ulur peshën në totalin e punësimit, teksa është rritur kontributi në punësim i sektorit të shërbimeve dhe administratës publike.
Në vitin 2023 ishin të punësuar 1,327,042 persona, 28,662 më shumë, ose me rritje 2.2% në krahasim me vitin 2022, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.
Bujqësia mbetet punëdhënësi më i madh në vendin tonë, me 32.3% të totalit të të punësuarve në vitin 2023, ndonëse me rënie të kontributit në punësim me 1.6 pikë % në krahasim me 2022.
Sektori i industrisë reduktoi më tej kontributin në punësim më 2023, me -0.6 pikë për qind. Vitin e kaluar, industria kontribuoi me 2.2 pikë % të punësimit total nga 2.8 pikë % më 2022. Rënia e fortë e Euros dhe rritja e kostove të brendshme ka sjellë faliment në shumë segmente të industrisë së prodhimit për eksport. Kjo rënie ka qenë më e dukshme në sektorin fason.
Në anën tjetër, kontributi i sektorit të tregtisë dhe shërbimeve në punësim u rrit më tej vitin e kaluar, si rrjedhojë e zhvillimeve pozitive në turizëm. Sipas të dhënave të INSTAT, të punësuarit në këta sektorë kontribuuan me 29.1% të punësimit total nga 27% në 2022.
Administrata publike zgjeroi më tej kontributin në punësim gjatë 2023, duke zotëruar 17.6% të totalit nga 12.2 që ishte në vitin 2022.
Ndonëse qeveria ka zhvendosur një seri shërbimesh në rrugë digjitale, sërish punësimi në sektorin shtetëror është zgjeruar dukshëm në dekadën e fundit. Shteti është punëdhënësi i tretë më i madh pas bujqësisë dhe “tregtisë dhe shërbimeve”.
Analiza e punësimit sipas grup-profesioneve shfaq strukturën e punësimit në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Në vitin 2023, punonjësit e kualifikuar në bujqësi dhe në tregti, përbëjnë 43,6% të të punësuarve, e ndjekur nga grupet ‘Menaxherë, profesionistë dhe teknikë’ dhe ‘Nëpunës dhe punonjës të shitjeve dhe shërbimeve’ të cilët përbëjnë përkatësisht 21,4% dhe 19,7% të të punësuarve.
Duke e analizuar tregun e punës në këndvështrimin gjinor, vihet se femrat kanë 1,4 herë më shumë gjasa sesa meshkujt për të qenë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes. Vlerësimet e marra nga AFP tregojnë se 27,2% e femrave të punësuara dhe 16,3% e meshkujve të punësuar janë punëtorë pa pagesë të familjes.
Sipas vlerësimeve të anketës për vitin 2023, rezulton se për grup-moshën 15 vjeç e lart, 49,0% e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 29,7% janë të vetëpunësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 21,3% janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes./Monitor