zoom

Bota

Biden konfirmon marrëveshken Izrael-Hamas, detajet çfarë ndodh më pas

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden konfirmoi të mërkurën arritjen e marrëveshjes së armëpushimit dhe për lirimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit.

“Mund të deklaroj që marrëveshja e armëpushimit dhe pengjeve është arritur ndërmjet Izraelit dhe Hamasit,” deklaroi Presidenti Biden nga Shtëpia e Bardhë. Ai tha se marrëveshja ishte arritur pas 15 muaj vuajtjesh dhe do të shoqërohet me shtimin e ndihmave humanitare në Gazë.

“Luftimet në Gazë do të ndërpriten dhe së shpejti pengjet do të kthehen në shtëpi tek familjet e tyre”, tha ai.

“Sot, pas shumë muajsh diplomacie intensive nga Shtetet e Bashkuara me Egjiptin dhe Katarin, Izraeli dhe Hamasi arritën një marrëveshje armëpushimi dhe për lirimin e pengjeve. Kjo marrëveshje do t’i ndalë luftimet në Gazë, do të shtojë ndihmat shumë të nevojshme humanitare për civilët palestinezë dhe do t’i bashkojë pengjet me familjet e tyre pas më shumë se 15 muajsh”, tha Presidenti Biden nga Shtëpia e Bardhë.

Kryeministri i Katarit Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani gjithashtu njoftoi se marrëveshja e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit do të hyjë në fuqi të dielën. Sipas tij, negociatorët po punojnë me Izraelin dhe Hamasin për hapat që duhet ndërmarrë drejt zbatimit të marrëveshjes.

Palestinezët festuan nëpër rrugët e Gazës, ku po përballen me krizë humanitare për shkak të mungesës së ushqimeve, ilaçeve dhe karburanteve.

“Jam e lumtur, po qaj, po janë lot gëzimi”, tha Ghada, një nënë palestineze e pesë fëmijëve.

Familjarët e pengjeve izraelite dhe miqtë e tyre po ashtu e pritën me gëzim lajmin e armëpushimit.

“Ne, familjet e 98 pengjeve, e mirëpresim me gëzim të jashtëzakonshëm dhe me lehtësim marrëveshjen për të na i kthyer të dashurit tanë në shtëpi”, thanë ata përmes një deklarate.

Presidenti Joe Biden gjithashtu vlerësoi “punën e fortë të diplomacisë amerikane” për arritjen e marrëveshjes.

“Kam paraqitur kornizën e saktë të këtij plani më 31 maj 2024, pas së cilës ai u mbështet unanimisht nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, theksoi Presidenti Biden. “Diplomacia ime nuk pushoi kurrë në përpjekjet për ta realizuar këtë.”

Komentet e Biden erdhën pakë kohë pasi presidenti i zgjedhur Donald Trump në një postim në mediat sociale pretendoi se fitorja e tij në zgjedhje ishte ajo që solli marrëveshjen.

Postime të lidhura