zoom

Aktualitet

Betonieret në mes të ditës në Tiranë. Rregulli s’vlen për të gjithë, favorizohen vetëm disa kompani

Më 6 janar të këtij viti, një njoftim zyrtar i Bashkisë Tiranë lajmëronte ndalimin e lëvizjes së të gjitha betoniereve dhe mjeteve të tonazhit të rëndë në territorin e Bashkisë.

Bashkia e Tiranës, 6 janar: “Bashkia e Tiranës bën të ditur se ka vendosur të ndalojë qarkullimin e mjeteve të rënda në brendësi të Unazës së Vogël të qytetit nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 20:00 të mbrëmjes. Sipas këtij udhëzimi, ndalohet edhe qarkullimi i mjeteve me ngarkese të përgjithshme mbi 18 ton në brendësi të Unazës së Madhe te qytetit, si dhe në akset kryesore hyrëse nga ora 06:00 deri në 20:00.”

E shtunë, ora 13:00, 12 shkurt. Kjo foto është shkëputur nga një video e bërë në “Sheshin Italia”, pranë stadiumit “Air Albania”.

Kamionet te Sheraton

Pamjet filmike tregojnë se si kamionët punojnë në mes të ditës. Hyjnë e dalin lirisht në kantierin e një kompleksi pallatesh në perimetrin e ish –hotel Sheraton, të kompanisë “Kastrati Group”, në një prej zonave më të frekuentuara të Tiranës. Hyjnë, ngarkohen me dhera dhe inerte, dalin. Policia e shtetit nuk duket gjëkundi. As ajo e Bashkisë.

Pasi dalin nga kantieri, kamionët, që siç duket nga logot që mbajnë, janë të një kompanie të quajtur “Alesio”, lëvizin përreth stadiumit, në rrugën e Elbasanit, në unazë, në rrugën e Kavajës drejt landfillit të Sharrës, në të vetmin vend ku ata lejohen të hedhin inertet, sipas një tjetër vendimi të bashkisë së Tiranës.

Në të gjithë rrugëtimin e tyre mespërmes Tiranës, nuk i trazon askush. Policët rrugorë, të rendit apo bashkiakët, që ngrenë postbolloqe ngado dhe shohin edhe rripat e pavënë të sigurimit brenda makinave, mbyllin sytë para këtyre makinerive dhjetëra tonëshe, edhe pse e dinë se janë në shkelje të hapur të ligjit.

Shoqata e Ndërtuesve i kërkoi disa herë Erion Veliajt ta tërhiqte urdhërin. E paralajmëroi edhe me dërgimin e çështjes në gjykatë. Kryetari i Bashkisë doli disa herë në publik i palëkundur.

Veliaj, dt 12 janar 2022: “Duke ardhur këtu po dëgjoja të gjitha kundërshtimet e kompanive të betoniereve. Por, sot siç e patë, vihet më kollaj në Tiranë, sepse betonieret dhe kamionët punojnë natën. Puna e kryetarit të bashkisë është ‘hip se të vrava, zbrit se të vrava’. Nuk i kënaqim dot të gjithë!”

Mesa duket kryetari i Bashkisë po kënaq vetëm disa. Filmimet e bëra nga Zoom.al dëshmojnë se vetëm disa investitorë lejohet të punojnë edhe ditën, vetëm kamionët dhe betonieret e firmave të caktuara ndërtuese nuk pengohen. Të tjerët e kanë të ndaluar.

“Gjithmonë do jetë dikush që do mërzitet, por pyetja është si do bashkëjetojmë?”, pyeste kryetari i Bashkisë duke mbrojtur vendimin e tij. “Jam i vendosur t’i rri këtij vendimi” shpallte ai.

Por a ka bashkëjetesë kur ligji nuk funksionon për të gjithë dhe kur vetëm disa favorizohen?
Me tolerimin e shkeljes së ligjit për biznese të caktuara, bashkia po ndërhyn hapur edhe në konkurrecën mes tyre, duke favorizuar disa kompani dhe duke dëmtuar disa të tjera.

Kryetari i bashkisë së Tiranës është akuzuar disa herë nga kundështarët politikë dhe komentues në rrjetet sociale për diferencime në trajtimin e biznesit dhe për lidhje me disa prej sipërmarrësve më të fuqishëm në vend. Pamjet e siguruara nga Zoom.al janë provë se disa prej këtyre akuzave janë të bazuara. /Zoom.al