zoom

Ekonomi

Beteja e profesionistëve të lirë në Gjykatën Kushtetuese, çfarë vendosi trupa gjykuese

Pas një seance maratonë prej më shumë se 7 orësh, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën për pezullimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” që nisi zbatimin me profesionet e lira.

Por, beteja nuk ka përfunduar ende.

Sot Gjykata vendosi vetëm që ligji për Tatimin mbi të ardhurat do të vazhdojë të zbatohet, ndërsa çështja për shqyrtim shfuqizimi vijon me datë 25 qershor.

Gjykata Kushtetuese vendosi që në datë 21 qershor të marrë parashtrimet dhe evidencat e fundit dhe në datë 25 qershor të dalë me konkluzionet përfundimtare.

Juristët sqaruan për “Monitor” se rrëzimi i kërkesës për pezullim të taksës së re për profesionet e lira, nga ana e Gjykatës Kushtetuese, nga njëra anë ka vënë në vështirësi këto të fundit pasi brenda datës 30 qershor do të duhet të paguajnë tatimin mbi fitimin në bazë të përllogaritjes së bërë nga tatim taksat.

Nga ana tjetër, profesionet e lira, po e parapaguajnë këtë taksë në bazë të xhiros vjetore të deklaruar në tatim taksa në 2023.

Rrjedhimisht edhe zgjatja e afatit për marrjen e vendimit për shfuqizimin ose jo të kësaj takse do të rëndojë me pagesën profesionet e lira, të cilat do të rrisin automatikisht kostot e faturimit mbi konsumatorin mbi 15%, sqaruan juristët.

Vendimi i sotshëm

Në lidhje me kërkesën për pezullim, Gjykata Kushtetuese vendosi me shumicë votash të rrëzojë kërkesën për pezullim, pasi nuk evidentohen pasoja të pariparueshme dhe gjithashtu duke marrë në konsideratë që procesi është duke u gjykuar me përparësi. Gjykata mban parasysh çështjen e afateve të ngritura të cilat do të trajtohen në kuadër të vendimmarrjes më pas.

Gjithashtu Gjykata e konsultuar më parë cakton që palët të depozitojnë parashtrimet, provat nëse kanë apo përgjigjet e pyetjeve që u administruan në seancë brenda datës 21,06.2014 ora 16:00.

Seanca me konkluzionet përfundimtare do të zhvillohet më datë 25.06.2024 ora 10:00”, pohoi ajo.

Si interpretohet vendimi i sotshëm

Juristët sqaruan se vendimi i sotshëm nuk vlerësohet negativ, sepse koha e dhënies së vendimit për shfuqizimin e ligjit ose jo është shumë e afërt, pra data 25 Qershor. Për rrjedhojë, duke qenë se ka mbetur shumë pak kohe nga vendimi përfundimtar gjykata nuk vendosi pezullimin e ligjit./ Monitor