zoom

Politikë

Berisha u shpall “non grata”, Vatra: Vendim pa prova, i kërkojmë shpjegime Biden-it

“Vatra” në SHBA ka reaguar përmes një deklarate lidhur me shpalljen “non grata” nga Departamenti i Shtetit i ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe familjarët e tij të afërt.

Në deklaratë thuhet se anëtarët e Federatës Pan – Shqiptare VATRA, kudo ku jetojnë në të gjitha anët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do t’u kërkojnë përfaqësuesve të popullit amerikan, për të cilët ata kanë votuar, që të ngrenë këtë problem me të drejtën e tyre, që kanë për t’i kërkuar shpjegime administratës së z. Biden të argumentojnë me fakte vërtetësinë e akuzave që kanë sjellë një masë të tillë kaq ekstreme.

“Në të kundërt ata duhet të lirojnë dr. Berishën nga barra e një përgjegjësie morale e cila nuk i përket vetëm atij dhe nuk i nderon as ata që e kanë aplikuar atë, nëse nuk kanë fakte”, thuhet në deklaratë.

Vatra thekson se ishte lidershipi i dr. Sali Berishës që e ktheu Shqipërinë nga vendi më armiqësor ndaj Amerikës në popullin më mik të saj.

“Sot, shumica absolute e shqiptarëve e shohin Amerikën si vendin e tyre të dytë, më të dashur në botë. Ishte dr. Sali Berisha, si lider i opozitës demokratike të asaj kohe ai, që priti Sekretarin e Shtetit James Baker në krye të një mase qindramijëshe, në Marsin e vitit 1991, kur u ri-vendosën mardhënjet diplomatike, të ndëprera prej vitit 1939.

Ishte po ai që, në detyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në vitin 1992, shkeli për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë. Aty, ai mori mbështetje nga Presidenti George H Bush për mos – prekjen e kufijve të Kosovës nga Milosheviçi si dhe statusin e Kombit më të favorizuar në tregëti me Amerikën.

Ishte po ai, që u prit në Shtëpinë e Bardhë edhe nga Presidenti Clinton në vitin 1995. Në vitin 1997 ai doli në opozitë dhe pas 8 viteve, në vitin 2005, ai u kthye përsëri në krye të qeverisë shqiptare. Gjatë kësaj periudhe ai arriti të ndërpriste rrugët e trafiqeve të paligjshme, të instalonte shtetin e së drejtës, t’i jepte hapësirë të plotë shtypit dhe sipërmarrjes së lirëdhe të ndërtonte një infrastrukturë moderne në bashkëpunim me kompanitë amerikane, në Shqipërinë e rrënuar nga komunizmi.

Mbi të gjitha ai arriti të plotësontë të gjitha kushtet që Shqipëria të bëhej anëtare e organizatës më të madhe politike ushtarake, NATO – s. Antarësimin e saj në këtë organizatë e deklaroi vetë Presidenti Amerikan George W Bush, në Tiranë, me datën 10 qershor 2008. Ai e ruajti miqësinë edhe me Presidentin Barack Obama dhe Sekretaren e Shtetit zonjën Hillari Clinton, e cila e vizitoi Shqipërinë në kohën kur ai ishte Kryeministër, në 100 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Gjatë termit të dytë si KM të dr. Berishës, shqiptarët për herë të parë morën statusin e lëvizjes së lirë në zonën evropiane Shengen, ndërkohë që Shqipëria hapi negociatat për antarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në reagimin e Vatra-s.

Federata Pan – Shqiptare e Amerikës, rreth së cilës mblidhen qindra mijëra shqiptaro – amerikanë, e kanë konsideruar dr. Sali Berishën si mikun e tyre të vërtetë, si njeriun që e hapi Shqipërinë ndaj perëndimit dhe në veçanti ndaj Amerikës; Tek dr. Berisha neve kemi parë mikun e Amerikës dhe për sa kohë ai ka qenë në pushtet mikun e të gjithe presidentëve me radhë, Geroge H. Bush, Bill Clinton, George W. Bush dhe Barack Obama.

“Shpallja ‘non grata’ e dr. Sali Berishës për ne vatranët – shqiptaro – amerikanë, ka me vete shumë pikëpyetje. Natyrishit, si shtetas amerikanë, neve kemi arësye të besojmë tek shteti ynë këtu. Megjithatë, në situatën kur nuk jepen argumenta dhe evidenca mbi të cilat është bazuar ky vendimkjo na bën të mendojmë se më shumë sesa një masë e marrë bazuar në principe amerikane, ajo është marrë nën trystni grupesh lobiste për interesa të caktuara. Ne dyshojmë se ato interesa nuk janë as në të mirë të Amerikës tonëdhe as në dobi të Shqipërisë tonë.

Akuzat ndaj një miku të shqiptaro – amerikanëve e veçanërisht të vatranëve, siç është dr. Berisha, pas tetë vitesh në pension, dhe pa asnjë bazë ligjore, pa asnjë evidencë apo prove konkrete, pa asnjë akt padi të ngritur në jetën e tij, na kanë shqetësuar pa masë”, thuhet në deklaratën e Vatra-s.