zoom

Lajme

Berisha tha se u arratis/ Rama poston video me Engjëll Agaçin: E gjeta…

Pas thashethemeve se Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi është arratisur, kryeministri Edi Rama u përgjigj me një videomesazh.

Ai postoi në rrjetet sociale një video, ku shfaqet edhe Engjëll Agaçi, tashmë i kthyer në krye të detyrës së selinë e Kryeministrisë, sipas Ramës.

“Sapo jam kthyer nga Berlini dhe kam gjetur këtu një të kthyer tjetër nga arratia”, tha Rama, ndërsa në video u shfaq Agaçi, i cili kishte këtë mesazh falenderimi:

“Përshëndetje të gjithëve, ju falenderoj të gjithëve për mbështetjen.”

Por Edi Rama e kujtoi se gjatë ditëve të mungesës së tij, kundërshtarët politikë kanë aluduar mbi arsyet e largimit.

“Jo të gjithëve, atyre që mbështetën. Atyre të tjerëve, pa merak, më 11 maj”, e mbylli fjalën Edi Rama.

Ndërsa videomesazhin, e shoqëroi me statusin:

“Ky është Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, të cilin Bufi i Kënetës e shpalli arratiak në kërkim nga drejtësia dhe e gjithë aradheja kënetore kanal më kanal e portal më portal, ia telendisi familjen e të afërmit, duke batërdisur publikun me kua-kua-kuara të ububushme, teksa tjetri ishte në fije të perit në reanimacion me frymëmarrje të drejtuar, pas një operacioni në zemër që pasoi nga një ndalim i funksionit të mushkërive.”

Pak ditë më parë u konfirmua lajmi se Engjëll Agaçi ndodhej në Itali, ku i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të përkeqësimit të papritur të gjendjes së tij shëndetësore.

Por kryedemokrati Sali Berisha denonncoi se ai ishte larguar jashtë vendit për të shpëtuar veten dhe jo për çështje shëndetësore.

Sipas mesazhit që kishte marrë Berisha, Engjëll Agaçi është zëvendësuar nga Vilma Guri./ Zoom.al

Postime të lidhura