zoom

Aktualitet

Berisha: Të hiqet TVSH e naftës dhe energjisë elektrike!

Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbajtur një konferencë për shtyp këtë të mërkurë ku ka folur për rritjen e çmimit të naftës.

Ai bëri publike kërkesat e PD për masat që duhen marrë në këtë situatë. Berisha kërkoi heqjen e plotë të TVSH për naftën dhe energjinë elektrike si dhe kërkoi bonus për familjet në nevojë që të përballojnë krizën energjetike.

Berisha paralajmëroi që “të merren masa urgjente përndryshe opozita do të jetë në rrugë, kundër spekulatorëve”.

“Nuk mund të mohohet se Europa është në luftë dhe hijet e saj detyrimisht qëndrojnë ose përhapen në mbarë kontinentin përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Por në këtë luftë, krahas armikut kryesor që janë hordhitë barbare ruse që po kryejnë, çdo orë, çdo ditë, krime kundër njerëzimit dhe genocid në Ukrainën e lirë dhe të pavarur, hordhitë e dyta, jo vetëm në Ukrainë tashmë, por në mbarë Europën janë spekulantët dhe spekulatorët që duan si shushunja të pasurohen nga lufta. Në këtë kontekst është në detyrën më parësore të qeverive të vendeve Europiane të luftojnë me vendosmëri spekulimin dhe spekulantët. Kohë përpara se të fillonte kjo luftë në Ukrainë të gjitha vendet e Be kanë ndërmarrë një seri masash të cilat kanë pasur qëllim kryesor mbrojtjen e qytetarëve nga spekulimi dhe spekulantët.”

“Sot Shqipëria ka çmimet më të larta në Europë sa i përket naftës dhe gazit ndonëse është një vend prodhues i naftës, në sasira të konsiderueshme, prodhues në sasi jo të mëdha të gazit, megjithatë shqiptarët paguajnë naftën sot rreth 2 Euro në treg, çmim ky që është më i larti i regjistruar deri sot në Europë pavarësisht se rrogat e tyre janë të paktën 10 herë më të ulëta se në Zvicër, Gjermani, apo Austri. Ky çmim stratosferik i naftës sot që në bursë është 125$ fuçia për naftën bruto nuk ka ekzistuar në vitin 2008 kur fuçia e naftës bruto në bursë luhatej nga 150 në 200$. E gjitha ky çmim i papërballueshëm është rezultat i një sasie taksash të vendosur me arbitraritet dhe kundër logjikë fiskale mbi energjinë, naftën dhe gazin. Kështu sot qeveria ka vendosur përveç TVSH, akcizës, vendosi edhe taksën e qarkullimit e cila ekzistonte në 70 lekë dhe u rrit në 270 lekë.”

“Krahas tyre janë vendosur tarifa absurde madje edhe dyfishuar si tarifa e kontrollit, tarifa e pompës. Për të mos thënë pastaj 400 lekë TVSH për litër. E rëndë është fatura e energjisë elektrike që paguajnë sot qytetarët dhe bizneset. Në këto kushte, PD kërkon me urgjencë heqjen e plotë të TVSH nga nafta, heqjen e plotë të TVSH së energjisë elektrike. Së dyti, kërkon rimbursim, apo kërkon një bonus për të gjitha familjet në nevojë, shtesë që të përballojnë krizën energjetike. Së treti kërkon heqjen e taksës së qarkullimit prej 270 lekë dhe me këto lëvizje çmimet e naftës duhet të zbresin në nivelet e vendeve përreth, por meqenëse Edi Rama i pëlqen ta shfrytëzojë situatën e luftës para së t’u thotë shqiptarëve, siç bënte me Covid që do shihni kodra me kufoma, duhet para së gjithash të marrë këto masa që rëndojnë mbi qytetarët. Në rast se spekulimi vazhdon ndërhyrja shtetërore direkte në tregun e karburantëve mbetet si masa e fundit që nuk mund të përjashtohet për shkak të luftës”, u shpreh Berisha./Zoom.al/

Postime të lidhura