zoom

Lajme

Berisha sulmon ashpër projektligjin e qeverisë për Surrogacinë, e cilëson mafioz dhe djallëzor

Ish-kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij para mbështetësve, ka folur mes të tjerash edhe në lidhje me projektligjin për Shëndetin Riprodhues, ose të Surrogacisë, nënave me qira dhe zëvendësuese.

Berisha tha se ky ligj ka qëllim shkatërrimin e kombit dhe familjes. Ai kujtoi edhe fazat e para të projektit qeveritar që nisi me Prindin 1 dhe Prindi 2 dhe tani po bëhet ligj.

Pjesë nga fjala Berishës:

“Në misionin e tij, ky po i shkatërron kombit pronën dhe familjen. Ka shndërruar Shqipërinë në eksperimentin e degradimit të plotë të familjes, si në asnjë vend tjetër.

Miqtë e mi!

E filloi me prindin 1 dhe prindin 2 dhe e përfundoi me krimin e fermave të surrogacisë, ky kriminel monstruoz, akt të cilin parlamenti Europian e shpalli krim të shëmtuar.

Qytetarë dhe qytetare.

Unë i bëj thirrje ndërgjegjes tuaj, dinjitetit tuaj, moralit tuaj, ngrihuni të përballemi dhëmb për dhëmb me këtë të keqe, se për ju, për fëmijët tuaj, për familjet tuaja, mafia dhe vetëm mafia do të vendosë nëse nuk ngrihemi.

Të dashur miq!

Ju e dëgjuat debatin për ligjin e surrogacisë, e krimit më monstruoz familjar në shekujt dhe mijëvjeçarë. Por ai ligj kishte edhe një kolonë e cila nuk u komentua sa duhet.

Cila ishte kolona; ishte neni që i hapte rrugën sterilizimit të adoleshentëve. A mund të ketë mendje më monstruoze se sa, të bësh ligj për të sterilizuar adoleshentët.

Miqtë e mi!

Po me se lidhej kjo? Kjo lidhej me mafian dhe vetëm mafian. Po pse? Sepse nesër, këto vajza do të kërkonin të bëheshin nëna dhe tani rrugën e vetme do të kishin surrogacinë. A e kuptoni se se çfarë djajsh janë këta. Për të rritur klientelën e klinikave të mafias, këta të pashpirtë, këta të pafytyrë nuk lanë ligj pa vendosur”. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura