zoom

Lajme

Berisha: Qeveria po fsheh një skandal. Linda Rama ka abuzuar me miliona dollarë të ndihmave amerikane

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe familjen e tij për abuzim me miliona dollarë të ndihmave amerikane që vinin për Shqiprinë.

Berisha akuzoi drejtpërdrejt ish-bashkëshorten dhe bashkëshorten aktuale të Ramës, duke i cilësuar si përfituese kryesore të fondeve publike në mënyrë të paligjshme. Sipas tij, auditet e para në Shtetet e Bashkuara tregojnë se këto para janë përdorur për pasurimin e elitave të korruptuara të ekstremit të majtë në vende të ndryshme të botës.

Demokrati u ndal veçanërisht tek Linda Rama, për të cilën tha se ka përfituar shuma të mëdha përmes fondacioneve dhe projekteve që, bien ndesh me ligjet bazë të antikorrupsionit.

Ai e cilësoi rastin e saj si unik në botë, duke argumentuar se bashkëshortja e një kryeministri nuk mund të paguhet nga fonde të huaja për të bërë raporte mbi qeverinë e tij. Duke e konsideruar këtë një rast flagrant të shpërdorimit të detyrës dhe fondeve publike, ai tha se Edi Rama duhet ta kishte përjashtuar bashkëshorten e tij nga çdo lloj studimi i lidhur me qeverinë.

FJALA E BERISHËS:

Narkoqeveria e Edi Ramës ka vendosur censurën më të plotë, po mbulon me terrin më të zi një nga skandalet më të mëdha ndërkombëtare të rrethit të tij familjar, siç është abuzimi me miliona e miliona euro dhe dollarë të taksapaguesve amerikanë nga ish-bashkëshortja e Edi Ramës dhe bashkëshortja e tij aktuale.

Auditet e para në SHBA faktojnë se paratë e taksapaguesve amerikanë u përdorën për të pasuruar elitat e korruptuara të ekstremit të majtë në vendet e tjera të botës.

Në rast se ka një rast më klasik të abuzimit ekstrem me paratë e taksapaguesve të SHBA, në Shqipëri në krye të listës qëndrojnë dy zonja, Linda Rama, bashkëshortja aktuale e kryeministrit, e cila në dhjetëra e dhjetëra projekte të saj, me fondacionin Shqipëria e Hapur, me UNDP-në dhe të tjera, ka përfituar shuma marramendëse në kundërshtime flagrante me ligjet themelore të antikorrupsionit.

Ajo përbën një rast unik në planet, kur bashkëshortja e kryeministrit, paguhet me paratë e taksapaguesve të vendeve të tjera dhe kryesisht të SHBA për të bërë raporte për veprimtarinë e qeverisë së burrit të vet.
Ky është një rast kulmor flagrance që fakton se gjer ku arrin makutëria e enturazhit të Edi Ramës dhe se për pasurimin e tij familjar, Edi Rama nuk respekton asnjë ligj, asnjë parim kombëtar as ndërkombëtar.

Edi Rama ishte i detyruar të përjashtonte bashkëshorten e tij nga çdo lloj studimi që lidhej me qeverinë e tij.
Por është bërë e kundërta, jam unë që kohë më parë kam denoncuar faktin e vizitave, e shoqëruar nga ministra, dhe i kam denoncuar me emër dhe mbiemër, ku Linda Rama debatonte dhe gjente tema për projektet e studimit të saj në agjencitë dhe zyrat e qeverisë.

Pra, përdoreshin ato.

Aktivitet absolutisht flagrant i shpërdorimit të detyrës dhe shpërdorimit të fondeve.

Postime të lidhura