Aplikacion
Gjatë fjalës së tij, Berisha premtoi rritje të pagës minimale në 500 euro, shpërndarje të kartave të konsumatorit për shtresat në nevojë dhe ilaçe më cilësore në treg.
Me ardhjen e PD-së në pushtet, sipas Berishës, do të mbyllet edhe dëmshpërblimi për ish-të përndjekurit dhe pronarët.
Fjala e Sali Berishës:
Edhe njëherë, ne kemi paraqitur para shqiptarëve programin më të bukur, programin më të mirë, programin e një Shqipërie vërtet madhështore.
Shqiptarët duhet ta dinë ku e nisim ne këtë. Ku e nisim ne ndërtimin e Shqipërisë Madhështore?
Ndërtimin e Shqipërisë Madhështore e nisim tek dhimbjet e tyre, tek vuajtja e tyre, që vjen nga mospasja, që vjen nga varfëria ekstreme, me zotimin solemn që tre muajt e parë nuk do ketë shqiptar që nuk do marrë 200 euro minimum jetik.
Se rrogë minimale nuk do ketë nën 500 euro.
Se rrogë mesatare nuk do ketë nën 1200 euro.
Nuk ka detyrim më madhor për njeriun që ka shpirt dhe zemër se sa taksat që merr prej qytetarëve, t’ua kthejë atyre direkt në mirësi, në mirëqenie, t’i çlirojë ata nga vuajtja e blerjes së ushqimeve, ilaçeve, etj.
Vetëm kaq? Jo, edhe më shumë.
Kjo shtresë në nevojë, këto që i japim nuk i ka të mjaftueshme dhe ne e kemi vetëdijen për këtë. Ka dalë jashtë zonës së varfërisë ekstreme, por nuk i ka të mjaftueshme.
Atëherë karta e konsumatorit.
Secili prej tyre do marrë mbrapsht TVSH-në që paguan për ushqimet, e llogaritur nga ekspertët 450 euro me kartën e konsumatorit.
Ilaçet do të jenë krejt të tjera. Nuk do mund të shiten ilaçe, të cilat kanë çerek apo gjysmë efekti siç ndodh tani. Qeveria do kompensojë çdo rritje, por ilaçet do jenë cilësore ama, nuk do jenë një mashtrim i përditshëm për të sëmurët.
Se prape jemi tek dhimbja, aty e nisim ne.
Po si mundet një shoqëri, një komb me një buxhet 7-8 miliardë, të lërë një grup njerëzish pa ilaçe se ilaçet e tyre kushtojnë?
Atë e bën një qeveri e pashpirt, por një komb i qytetëruar nuk e bën kurrë.
Pse nuk ekzistonte kjo situatë përpara? Edhe atëherë kushtonin. Ka ilaçe që kushtojnë shumë, por nuk mungonin në mënyrë absolute.
Se këta i përzunë kompanitë nga Tirana, i pushtuan vetë.
Për t’ua thjeshtuar, në qoftë se ne rrugët e mëdha të Shqipërisë i ndërtuam me kompanitë më të mëdha të botës, këta ndërtojnë me Salillarin e me radhë dhe shemben, kushtojnë, ribëhen, etj.
Kështu është edhe puna e ilaçeve. Ilaçet i dominon Vilma Nushi dhe shqiptarët marrin ilaçe jashtë çdo kontrolli. Merr fund.
Nafta, jo mo nuk mund ta paguajë shqiptari… shqiptari do lëvizë se tani vihen para problemit të kenë a mos të kenë makina, të kenë sa më shumë makina… dhe nafta do të jetë as një qindarkë më shtrenjtë se në Kosovë që e merr nga Durrësi dhe e shet 40 përqind më lirë.
Energjia elektrike do ulet. Do jetë 7 lekë. Mund të jetë edhe më lirë, por unë po them 7 lekë. Për biznesin do jetë 6 lekë, do jetë tre herë më lirë.
Pronarët, të përndjekurit, brenda mandatit të parë do marrin çdo dëmshpërblim, çdo rikthim, çdo kompensim që u takon.
Pra, ne shkojmë vërtet koalicioni më i gjerë në histori, ama shkojmë me programin më të mirë që ka njohur Shqipëria ndonjëherë në ekzistencën e saj.