zoom

Politikë

Berisha për Bashën: Nuk është çështje mes besëprerit dhe të njeriut me besë, por…

Ish-kryeministri Sali Berisha nga Shkodra deklaroi se në mbrojtje të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha të cilin e cilësoi sërish ‘peng’ u sul e gjithë propaganda e qeverisë.

Nga ‘foltorja’, aksion që Berisha po e mban në çdo qytet pas përjashtimit të tij nga PD-ja, theksoi se kjo nuk është një çështje mes tij dhe Bashës, por bëhet për votën. Ai mes të tjerash tha se opozitë e vërtetë do të bëhet ai bashkë me mbështetësit e tij, duke shtuar se do të rikthejë PD në opozitë siç ishte.

“Ju konstatoni se në mbrojtje të peng kryetarit është vërsulur e gjithë propaganda e qeverisë. Përpiqen që të paraqesin variante nga më të ndryshmet, por e vërteta është se pengu është krejt i pashpresë. A është kjo një çështje mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës? Jo, nuk është! Unë kam të drejtë morale të them se kjo është një çështje mes të pabesit, besëprerit, dhe njeriut të besë. Jo nuk e them këtë. Por është një çështje themelore për pluralizmin shqiptar. Që nga themeli i PD dhe pluralizmit deri më sot, pluralizmi s’ka qenë në giotinë siç është këtë herë.

Pluralizmi politik bazohet në organizata demokratike. Partia qe përmbysi komunizmin sot ka në krye një ish-kryetar i cili deklaron se; Nuk pyes për forumet e partisë, për anëtarësinë e partisë, nuk lejoj, nuk shkon për të votuar propozimin e tij në Këshill Kombëtar sipas statutit forumin që keni zgjedhur për të marrë masa disiplinore. Nuk lejoj që të mblidhet kuvendi, nuk njoh referendumin. Kjo de-facto është asgjësim i PD-së. Sot po mos të jemi ne këtu me vendosmërinë tonë, Shqipëria ka një narkokrytar që është Edi Rama dhe një peng të tij, Lulzim Basha. Sot dua të falënderoj këtu nënkryetaret e bashkisë, kryetarët e grup seksioneve që janë të pranishëm, por dua t’ju çoj një mesazh të gjithë të tjerëve; zotëri nuk është çështja këtu mes Sali Berishë dhe Lulzim Bashës, por çështja është jetike për votën.

Nëse ju pranoni që kësaj partie t’i mohohet e drejta e votës, forumeve apo statuti të shkelmohet, lexoni pak dhe mendoni mirë se të tillë nuk mund të jenë kurrë qytetarë të lirë. Të tillë janë vetëm pengje, mercenarë, s’janë kurrë burrat dhe gratë që i besojnë lirisë dhe pranojnë diversitetin e mendimeve. S’kemi problem se Lulzim Basha mendon me një qëllim të caktuar për Sali Berishën, por problemi është se ai merr një vendim që se ka në tagër. S’ka guxim të pyes për Këshillin Kombëtar, për kryesinë, apo grupin parlamentar. Nuk guxon të mblidhet kuvendi. A ka mundësi ta di? Nga e morën këtë? E gjetën personazh nga Franc Kafka apo e nxorën nga…Edhe ai në diktaturë i ndiqte procedurat. I çonte në litar, por procedurat e i ndiqte me radhë. Ky nuk ndjek asnjë procedurë. Dua t’iu bëj thirrje çdo demokrati që të veprojë mbi këtë bazë. Koha është kritike. Ne duhet të bashkohemi. Ata të cilët u shprehen pas 4 humbjeve me radhë se PD duhej të shkrihej, nuk ishin antidemorkatik dhe armiqtë tanë. por e panë se me këtë drejtim kjo parti s’fiton kurrë. Që të dilte një forcë politike që të bëhet opozitë e vërtetë. Opozitë e vërtetë do të bëhemi ne. PD do të rikthehet në opozitë siç ishte.

Ka një filozofi kjo parti. Kjo parti u gjet në një moment të paimagjinueshëm kur iu kërkua që një ish-themelues i saj të mos hyjë në parlament. Kryetari mori vendim pa pyet asnjë forum. Shkelmoi sovranitetin e partisë. Ndaj edhe përpjekja për të mbrojtur sovranitetin është e pandashme për të mbrojtur dinjitetin. E vërteta është që nuk e kam sjellë unë. Unë dhashë dorëheqjen. Humba zgjedhjet, shqiptarët zgjodhën një kontratë tjetër, unë e mbylla kapitullin tim. Atë verë janë paraqitur vetëm 2 vetë. Nuk i kam kërkuar asnjë njeriu të kandidonte dhe kam qenë neutral. Basha fitoi garën se ishte kryetar i bashkisë së Tiranës. Përgjegjësia ime qëndron në mbështetjen time publike që unë i kam dhënë atij. Unë kam shumë dokumente që t’i faktoj të gjithëve që Lulzim Bashës i kam thënë të gjitha mosaprovimet. I kam kërkuar dorëheqjen në 2017-ën. Nuk e kam sulmuar publikisht. Pse? Kam evituar të ndërhyj në punët e brendshme të partisë. Projekt për rikthim nuk kisha. Të hyja pa projekt do të shkaktoja vetëm kaos. Ky ka qenë qëndrimi im. A ishte i drejtë? Po të kisha ndërhyrë ndoshta zhvillimet nuk do të ishin ato sot.

Por çfarë kërkon Berisha? Unë kam pasur një përplasje të madhe me George Soros dhe mendova: pse ma bënë këtë mua? Unë në këto 8 vite nuk kam një fjali duke mbrojtur interesin familjar. Unë kisha ndërmend të largohesha nëse të fitonim zgjedhjet. Vendosa të vazhdoj mbrojtjen e interesit kombëtar të shqiptarëve. Vendimi i Bashës ishte një motiv i madh për të ngritur në këmbë Partinë Demokratike, për ta çuar atë drejt fitore, Unë ju garantoj se do të bëjmë çdo gjë që ju të zgjidhni njerëzit që ju besoni më shumë, që vota juaj të numërohet në dritën e diellit. Kur Lulzim Basha kandidoi për kryetar bashkie doli problemi i votave të hedhura keq. Por ato quhen vota të vlefshme dhe filluam numërimin. Tha do rrethojmë komisionin, asgjë s’do bësh i thashë. I thashë do i numëroj votat me 5 kamera. Sigurisht votat u numëruan dhe nuk u shkoi ndërmend të luanin me votën. Ndaj do të rikthejmë votën, do të ristrukturohemi dhe do ecim të sigurt drejt fitores.”, pohoi ai.