zoom

Lajme

Berisha: Në bashki kanë nisur të thërrasin

Sali Berisha iu kundërpërgjigj Erion Veliajt, pasi kryetari i Bashkisë Tiranë reagoi në rrjetet sociale për akuzën e kreut të PD, se ishte arratisur në Shtetet e Bashkuara.

“Për të kuptuar se ç’përfaqësojnë këta moralisht, u ftoj të lexoni reagimin që ka bërë Lal Vjedhësi sot ndaj kërkesës sime që në rast se ai nuk kthehet, Edi Rama të japë dorëheqjen. Kaq ishte kërkesa. Por ky është i shkonfiguruar, ky është i pakallur dhe kanë meritë të jashtëzakonshme qytetarët e Tiranës, që pikërisht në të 40-tat e tij, e kallën. E varën në shtyllën e turpit të mbarë Europës. Nuk ka sot një kryebashkiak që të jetë i bërë zift i zi si ai me vjedhjet që ka kryer”, tha Berisha.

“Atëherë, të deleguarit e tyre kudo që t’i shihni, do t’i gjuani me zezë, do t’i gjuani me domate. Hajdutë, nuk keni vend, shkoni në punën tuaj. Se po të shkoni tani në bashkinë e Tiranës, ua them unë ju, gjer para një muaj ata bënin rroftë Erion Veliaj, poshtë Edi Rama se donin ta shihnin Erin kryeministër se e dinin se do vidhnin edhe më shumë. Tani, poshtë Veliaj, rroftë Blendi Gonxhe. Gonxhe është një hajdut i paimagjinueshëm. Po, janë të sotme këto që u them”.

Çfarë ndodhi?

Të shtunën në mëngjes Berisha denoncoi atë që e quajti “arratisje” të Erion Veliajt, në SHBA. Në një deklaratë për mediat, kryetari I PD-së u shpreh se ky veprim i kryebashkiakut është arratisje nga drejtësia.

“Lajme të shumta bëjnë të ditur se Erion Veliaj, bashkëpronari i vërtetë i djegësit të Tiranës, që mungon, i pyllit 1 milion pemë që nuk ekziston, i modelit të vjedhjes 100 për qind me 5D, pasi mori zyrtarisht një seri akuzash, të cilat shkonin për përmasat e krimit nga 20 në 35 vite burg, sot në ora 5:15 të mëngjesit është nisur jashtë vendit, sipas thashethemit për në SHBA, por në të vërtetë drejtimi është i panjohur. Zonja dhe zotërinj, ky është një akt nga më të rëndët në historinë e një shteti, i organizuar, i orkestruar direkt nga Edi Rama.”

Sipas Berishës, ky akt i Veliajt është mbështetur nga Edi Rama, duke akuzuar se kryeministri ka influencuar që Veliaj të mos vendosej në masën e sigurisë të ndalimit për të dalë jashtë vendit, shkruan A2.

“Edi Rama bllokoi lëshimin e urdhër-arrestit ndaj Erion Veliajt, bllokoi lëshimin e sekuestrimit të pasaportës dhe ndalimit për të dalë jashtë shteti dhe de facto ai e përcolli atë në drejtim të paditur në mënyrë që shqiptarët të mos mësojnë fatin e qindra e qindra milionë euro të vjedhura nga Edi Rama dhe Erion Veliaj në djegësin e Tiranës, në aferën 5D, por dhe në të gjitha lejet e ndërtimit në territorin e Tiranës, kullat gjigante në të cilat flitet rëndom se Edi Rama ka 30 për qind të pronësisë. Me këtë rast, unë kërkoj në mënyrën më urgjente rikthimin e Erion Veliajt në Tiranë”, tha Berisha, përcjell A2.

Veliaj u përgjigj përmes një postimi të gjatë në Facebook. “O Sali, o kërmë, që paske dhënë lajmin se jam arratisur nga Shqipëria, meqë ndonjë nga çimkat e tua më paska parë në avion. Po shkoj në Amerikë, për takime që i kam lënë prej kohësh, se jam kryetari i Bashkisë së Tiranës, dhe nuk jam Non Grata, o fundërrinë e historisë, që u bërë stërgjysh dhe sa më shumë zhubravitesh në atë surratin e lig, aq më shumë qelb Tiranën me gojën tënde”, shkruan Veliaj në Facebook.

Më tej Veliaj sqaron se ai do të rikthehet në Shqipëri pas 48 orësh dhe shprehet se nuk i trembet drejtësisë dhe SPAK-ut, ndryshe nga çfarë ndodh në kampin blu.

Hetimi për Veliajn, SPAK reagon për A2 CNN: Ekzistojnë të dhëna për 4 vepra penale

Erion Veliaj u morë në pyetje të enjten nga prokurorët e SPAK ku në reagimin publik, Prokuroria e Posaçme tha ka të dhëna dhe për akuza për 4 katër vepra penale, edhe pse nuk e përmendte me emër kryebashkiakun.

Dyshimet e SPAK janë për veprat penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.

Më herët SPAK ushtroi kontrolle në shtëpinë e Veliajt, nërkohë që ky i fundit nuk ndodhej në Shqipëri dhe sekuestroi celularin e gruas së tij, Ajola Xoxës.