Aplikacion
Berisha tha se marrëveshja që ai bëri në pushtet me Greqinë për kufirin detar ishte e drejtë pasi përfitonin të dyja vendet.
“Unë ju them këtu vëllezër dhe motra, ajo është marrëveshja më e mirë që ka firmosur Shqipëria ndonjëherë me fqinjët e saj. Natyrisht do të ishte absurde që të firmosej një marrëveshje që Greqia të humbiste dhe Shqipëria të humbiste. Ja pra që ka një marrëveshje kur fitojnë të dy palët dhe nëse kishte marrëveshje që fitonin të dy palët ishte marrëveshja që bëmë ne për zonat ekonomike dhe detin.
Këtë marrëveshje e përmbysi Edi Rama. Jo vetëm e përmbysi marrëveshjen, por kur gjykata e hodhi poshtë, qeveritë greke për hir të së vërtetës e qendrës së djathtë dhe të majtë respektivisht, ramë dakord që të shkonim në Hagë, sepse në Kushtetutë ligji ndërkombëtar mbizotëron dhe të merrnim sanksionim në Gjykatën e Hagës.
Çfarë bëri? Jo tha. Do të bëjmë një marrëveshje më të mirë. U tregua një sharlatan, negocioi tre vite dhe në fund i thotë ministrit të Jashtëm se, nuk e firmosim dot, se kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Ju garantoj ju se ajo marrëveshje me PD-në në pushtet do të finalizohet dhe marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë do të jenë shumë të mira” – tha Berisha.
“Marrëdhëniet mes dy fqinjëve nuk janë asnjëherë linare, njohin uljet dhe zbritjet, por në çdo kohë në pushtet, PD me qeverinë e këtij vendi ka njohur një dialog konstruktiv dhe një vullnet për të dialoguar pa asnjë tabu për çdo çështje.
Ky vullnet bëri që në mars 1996 të firmosnim me presidentin e Greqisë, Stefanopullos traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimit. Traktat që u jepte përgjigjen ligjore më të mirë, të gjitha marrëdhënieve mes dy vendeve, probleme që duheshin zgjidhur dhe të ardhmes së shkëlqyer të këtyre marrëdhënieve” – tha Berisha.