Aplikacion
Ai tha se gjatë qeverisjes së tij korrupsionit iu dha goditja më fatale.
“Lexoni pak raportin e Transparency International të vitit 2008. Çfarë thotë ky raport? Ky raport thotë: Shqipëria u rendit në garën botërore të luftës kundër korrupsionit. Ky raport thotë se Shqipëria u rendit në dhjetë vendet e para në botë për suksesin e luftës kundër korrupsionit. Ky raport thotë se Shqipëria në turravrap la mbrapa nga pozicioni i saj 43 vende dhe në rang botëror 85 vende për treguesin e korrupsionit”, u shpreh ish-kryeministri.
Dhe më tej ai theksoi objektivin e tij kur ishte në krye të qeverisë.
“Beteja kundër korrupsionit ishte beteja e jetës së Sali Berishës dhe qeverisë së tij. Me këtë betejë, ne arritëm të dyfishojmë të ardhurat. Të dyfishojmë rrogat. Të dyfishojmë pensionet. Në këtë betejë, ne arritëm të ndajmë epokat. Shqipëria kaloi në vitin 2008 nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta, në të cilin kishte lënguar dekada dhe shekuj, e nxorëm në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Në këtë betejë brenda dy viteve, 2008-2009, u ndëshkuan 630 zyrtarë për veprën e korrupsionit. Gërshëra e ligjit ishte e pamëshirë”, tha Berisha.
Ish-kryeministri qëndron në arrest shtëpie me vendim të SPAK dhe GJKKO që prej 30 dhjetorit 2023, teksa në fund të këtij muaji i digjet edhe mandati i deputetit nëse nuk shkon të paktën një herë në Parlament. /ZOOM.AL/