zoom

Aktualitet

Berisha: Ka mandat arresti nga jashtë për Arben Ahmetajn dhe Engjëll Agaçin

Ish-kryeministri Sali Berisha, i ftuar në “Zonë e Lirë” ka bërë një deklaratë të fortë.

Sipas Sali Berishës ka një mandat arresti nga ndërkombëtarët për zv.kryeministrin Arben Ahmetajn dhe Engjëll Agaçin. Berisha ka bërë të ditur se këta dy persona janë të akuzuar në pastrim parash si dhe për skandalin e incineratorëve.

Mes të tjerash ish-kryeministri ka zbuluar se vendi që ka lëshuar urdhër arresti për dy politikanët qeveritar është afër Shqipërisë.

“Ka mandat arresti nga jashtë për Arben Ahmetaj dhe Engjëll Agaçin” ka thënë Berisha.

Me urdhër të SPAK, policia arrestoi ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për abuzim me detyrën, korrupsion dhe pastrim parash, ne lidhje me çështjen e koncesionit të inceneratorit të Elbasanit.

Për të njëjtën dosje, SPAK ka leshuar urdhër arresti edhe për Stela Gungadhen, administratore e kompanisë “Albtek-Energy” dhe Klodian Zoton, administrator i shoqërisë “Integrated Technology Services”.

Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë ngritur një skemë të mirëfilltë korruptive që nis me procedurat përgatitore të koncensionit, tenderin për dhënien e koncensionit, e deri tek lëshimi i faturave fiktive për punime që nuk janë kryer asnjëherë.

Por duket se këta tre persona përbëjnë vetëm majën e “ajzbergut”, pasi vet Prokuroria e Posaçme bëri të ditur në një njoftim për mediat se po vijon hetimet edhe për persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë aferë.

Dhe sipas padisë të bërë nga PD dhe LSI, të denoncuar si të përfshirë në këtë dosje janë edhe kryeministri Edi Rama, ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj, sekretari Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjell Agaçi dhe ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, i cili aktualisht është deputet.

Por lista e personave që rrezikojnë të përballen me drejtësinë për çështjen e inceneratorëve është akoma më e gjatë.

Kështu, sa i përket inceneratorit të Fierit, PD dhe LSI, përveç ish-ministrit Lefter Koka, dhe deputetit, Alqi Bllako, kanë paditur edhe kryetarin e Bashkisë së Fierit, Armando Subashi. Ata akuzohen se kanë kryer dy vepra penale – atë të ‘Shkeljes së barazisë në tendera’ dhe ‘Shpërdorimin e Detyrës’.

Por situata bëhet edhe më serioze në inceneratorin e Tiranës, ku edhe shuma e koncensionit është shumë herë më e lartë në krahasim me dy inceneratorët e tjerë.

Këtu lista e personave që rrezikojnë të përballen me drejtësinë, përveç atyre të përmendur edhe më lartë, zgjerohet me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Gjithashtu pjesë e personave të hetuar për të treja kontratat koncensionare janë edhe komisionet e prokurimit.

Natyrisht që e gjithë lista përmbyllet me emrin e Mirel Mërtirit, i cili konsiderohet si njeriu që qendron pas gjithë biznesit të inceneratorëve në Shqipëri.

Postime të lidhura