Aplikacion
‘Nesër është një ditë ku ne të protestojmë që të gjithë për fjalën e lirë. Të protestojmë kundër një qeverie të korruptuar që kërkon të kontrollojë informacionin që marrin qytetarët’- u shpreh lideri i opozitës.
Deklarata e plotë:
Çështja e dytë që dua të sjell sot, thirrja ime këtë ditë feste për të gjithë gjimnazistët, për të gjithë studentët, për të gjithë nxënësit e shkollave 9-vjeçare, për të gjithë të rinjtë, por edhe prindërit, të bashkohen nesër në protestën e madhe anticensurë.
Një tiran i barabartë me Habitullahun e Kabulit, i njëllojtë me Ajatollahun e Teheranit, një intolerant ndaj fjalës së lirë dhe mendimit të lirë, duke shkelur Kushtetutën, duke shkelur ligjin dhe konventat universale të të drejtave të njeriut, i vuri gërshërët TikTokut, duke firmosur në këtë mënyrë aktin më të rëndë të censurës që nga diktatura komuniste, që rrethonte vendin me zhurmues kundër radiove dhe televizioneve të vendeve të tjera.
Një goditje e rëndë shumë për fjalën e lirë, mendimin e lirë, të drejtën e komunikimit.
Një akt i ngjashëm shumë me firmën që Kristaq Rama, babai biologjik i Edi Ramës, vendosi më 10 gusht të vitit 1988 për të varur në litar poetin disident Havzi Nela.
Nesër është një ditë ku ne të protestojmë që të gjithë për fjalën e lirë.
Të protestojmë kundër censurës.
Të protestojmë kundër një qeverie të korruptuar që kërkon të kontrollojë informacionin që marrin qytetarët.
Në dekadat e mia në diktaturë, gjëja që urreja më shumë ishte censura, fondet rezervë të bibliotekave, të cilat mund të shfrytëzoheshin vetëm me autorizime speciale, se përndryshe nuk i prekje dot me dorë.
Kurse Edi Rama tejkaloi edhe këtë dhe censuron TikTokun, mjetin aktualisht më modern të komunikimit.
Bazuar fund e krye në intolerancën e tij ndaj kritikave që i bëhen në këtë mjet.
Garantoj të gjithë shkollarët e Shqipërisë, nxënësit e shkollave 9-vjeçare, gjimnazistët, studentët dhe të tjerët, se me datën 12, TikTokun do e kenë në telefonat e tyre, në kompjuterat e tyre dhe do ndëshkhet rëndë për veprën antikushtetuese një megakrim i përmasave gjigante, Edi Rama për këtë akt të tij.
Ndaj dhe të lëmë çdo gjë në respekt të fjalës së lirë dhe të lirisë, të protestojmë nesër në ora 7 në sheshin Skënderbej të Tiranës, të mblidhemi nga e gjithë Shqipëria.
Veçanërisht të rinjtë.
Kjo është protesta juaj.
Nesër fjala do jetë e juaja.
Nesër fjala e lirë do u ketë ju kalorësit mbrojtës të saj.
Ndaj dhe të mblidhemi të gjithë në mbështetje të tyre në kërkesën që kanë.