zoom

Politikë

Berisha bën deklaratën e fortë: Alqi Bllakos i është hequr akuza e korrupsionit

Në konferencën e përjavshme me gazetarët, ish-kryeministri Sali Berisha bëri një denoncim të fortë që lidhet me aferën e inceneratorëve.

Berisha deklaroi ka tentativa për të lehtësuar pozicionin e Alqi Bllakos, i cili sipas tij, ka rolin kryesor në aferën e djegësave.

Sipas Berishës, Alqi Bllako është lehtësuar nga akuza e korrupsionit dhe tani ndaj tij rëndon vetëm akuza e shpërdorimit të detyrës.

“Veliaj ndërhyn në mënyrën më anti-ligjore në dënimin e Alqi Bllakos. Për aq sa është firmë në nivelin e tij, Alqi Bllako është më përgjegjës se çdo njeri tjetër në aferën e djegësve. Është sekretari i përgjithshëm i të gjithë çorbës së djegësave. Disa informacione më thonë se e kanë çliruar fare nga akuza e korrupsionit. Nëse jam gabim, do ta tërheq. Atij nuk i është prekur 1 qindarkë nga pasuria e tij. Alqi Bllako ishte njeriu më i ngushtë i Erion Veliajt. Lefterin nuk e kishte për gjë. Lefterin e përdorën dhe mirë ia bënë. Në ministrinë e Lefterit, Alqi është personi përgjegjës direkt për të gjitha aferat për të tre djegësat.

A ndërhyri Erion Veliaj? Unë dëshirë kam të akuzoj Ramën. Por në këtë rast nuk mund të devijoj. Tani më rezulton se Alqin e kanë akuzuar për shpërdorim detyre, por jo për korrupsion. Ky është një akt i turpshëm. Akuzon për korrupsion Ahmetajn pse përfaqësuesi i tij në komision ka votuar pro, në një kohë kur të gjitha këto janë bërë nën mbikëqyrjen direkte të Alqi Bllakos. U ndala te Alqi se ky është më flagranti. Njeriu që ka çliruar Alqin nga vepra e korrupsionit është një kriminel kokë e këmbë dhe kurrë nuk do të shpëtojë për këtë që ka bërë”, u shpreh Sali Berisha.

Pak javë më parë, një dokument i publikuar në media tregonte sesi ish-deputeti socialist Bllako në pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit ka kërkuar dhe përfituar në mënyrë të parregullt nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri vlerën prej rreth 120 000 euro, me qëllim favorizimin për dhënien e koncesionit shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B. V.”, ku Zoto dhe Mërtiri sipas SPAK janë pronarë de facto.